Damian Gjiknuri deklaroi se socialistët synojnë të fitojnë minimalisht 45 bashki në zgjedhjet lokale të 14 majit, duke treguar ambiciet se një rezultat i mirë dhe i pëlqyeshëm do të ishte 55. Gjatë fjalës së tij në emisoinin “Debat”, sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste ironizoi dhe grupimin e Alibeajt që nuk mund të dalë me kandidatë në të gjitha bashkitë e vendit.

Sipas Gjiknurit, Alibeaj do ishte më mirë të dorëzonte vulën, ndërkohë që mos shpalljen e kandidatëve në të gjithë vendit e konsideroi minimalisht si paaftësi.

“I qëndroj asaj që kam thënë, bazuar në statistika dhe të dhëna, në projeksione. 45 bashki është një rezultat i arritur, por mendojmë dhe 55. Besoj se 45 është numri minimal. Në këto kushte që jemi PS do të fitojë. Nuk kam parë rezultat më qesharak për partinë që luftoi aq shumë për vulën dhe më pas del me sloganin që ne nuk jemi të gatshëm të kandidojmë në të gjithë Shqipërinë. Kjo është dorëzim i asaj beteje që kanë bërë, një formë kapitullimin nga trysnia e Foltores. Për mua nuk e di pse e bënë këtë luftë. Më mirë ta dorëzojnë atë vulë. Të deklarosh që ke partinë dhe mos kesh guximin të nxjerrësh kandidatë në të gjithë Shqipërinë, minimalisht është paaftësi. Pastaj mund të ketë edhe interesa të tjerë. Nuk e di. Si duket kanë menduar se po fole mirë në televizor dhe mendon se ke të drejta juridike, mendon se do të të ndjekin njerëzit. Natyrshëm do të tretesh. Të them të drejtën kështu më duket, paaftësi totale. Është naivitet të thuash që nuk do kandidoj në të gjithë Shqipërinë se kam frikë mos prish punë. Ose nuk kanë kapacitet, ose kanë qëllime të tjera,”- tha Gjiknuri.