Pas zyrtarizimit të listës së Këshillit bashkiak Shkodër, kanë nisur të shfaqen edhe pakënaqësitë e para. Ka qenë këshilltarja e PS- së Tereze Brigja, e cila ka bërë një deklaratë të fortë.

Në një grup komunikimi në Whatsapp të këshilltarëve socialistë të Bashkisë Shkodër, Brigja ka dërguar një mesazh, ku deklaron dorëheqjen nga PS Shkodër.

Ajo hedh akuza të ashpra për drejtuesit e PS Shkodër, për mospërfaqësim të Dukagjinit në listën e Këshillit Bashkiak por edhe të komunitetit katolik. Më poshtë, deklarata e plotë e këshilltares Tereze Brigja, njëkohësisht drejtore një shkolle në Bardhaj:

Përshëndetje kolegë! Dëshiroj të jeni mirë familjarisht!

Ju bëj me dije se largohem nga PS e Shkodrës të cilën e drejton injoranca dhe mediokriteti përfshij këtu edhe deputet apo ish- deputet. Kjo nuk është partia për të cilën kam kontribuar prej vitesh…

Unë jam dukagjinase dhe ndihem krenare për vendlindjen dhe prejardhjen time. PS e Shkodrës i ka përbuzë dhe masakruar dukagjinasit duke i lënë pa rrugë, pa drita e pa shërbimet minimale, me qellim që ata të largohen nga trojet e veta e të shpërndahen nëpër botë. Me këtë strategji kanë menduar se e zhdukun ” farën” e dukagjinasit…

Ku kanë moral apo fytyrë drejtuesit e PS Shkodër të kërkojnë vota në Dukagjin, në një kohë kur në këshillin bashkiak këtë komunitet nuk e përfaqëson askush. Nuk besoj se dukagjinasi tenton të hapin një derë të mbyllur, se ai që e bën një gjë të tillë nuk është dukagjinas.

Ku kanë moral apo fytyrë drejtuesit e PS Shkoder të kërkojnë vota te KATOLIKËT e Shkodrës kur injorojnë dhe tallen me besimin e tyre. Përfaqësimi i këtij komuniteti në këshillin bashkiak të Shkodrës është i papërfillshëm (nga numri rendor 1- 13 nuk ka asnjë katolik).

Si kontribojnë këta drejtues idjotë në harmoninë fetare? Si munden këta idjotë t’i zëvendësojnë vlerat me antivlerat? Nuk janë mediokër, as grek, as italjan kotolikët e Shkodrës por janë shqipëtarë.

Këto poshtërsi e shumë të tjera i këto e kanë çuar dhe po e çojnë Shkodrën nga humbja në humbje. Shkodra nuk e meriton këtë… Shkodra nuk është një tufë delesh që bariu idjot e çon ku ti dojë qefi.