Grupi hetimor ka në dorë tre profile AND-je të autorëve të sulmit ndaj Top Channel, ngjarje që solli vrasjen e rojes së sigurisë, Pal Kola. Gazetari Igli Çelmeta raporton për Balkanweb se përveç gjurmës së gjetur në njërën prej gëzhojave, grupi hetimor ka gjetur edhe dy profile të tjera AND-je në mjetin e përdorur nga autorët.

Bëhet fjalë për makinën ‘Range Rover’ që u gjet e djegur në afërsi të Golemit, pas ngjarjes së ndodhur. Një nga gjurmët e gishtit që është gjetur brenda në makinë në një fishek të paplasur, dyshohet se i përket një personi me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore.

Sulmi i rëndë ndodhi pak pas mesnate dhe viktimë mbeti roja i sigurisë, Pal Kola 60 vjeç. Autorët iu afruan objektit të televizionit me një ‘Range Rover’ dhe qëlluan me dy kallshnikovë. Më pas, ata u larguan në drejtim të Kasharit, u futën në autostradën Tiranë-Durrës dhe morën rrugën për në Golem ku dhe dogjën makinën e përdorur në krim. Deri më tani, policia nuk ka asnjë të dyshuar për ngjarjen dhe ka kërkuar ndihmë nga qytetarët për informacione të vlefshme. Si shpërblim ofron shumën prej 100 mijë eurosh.