Shkodër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Skema”, sekuestrohen 6 automjete luksoze të tipeve të ndryshme.
Përfitonin automjete luksoze, përmes mashtrimit, duke mos u dhënë pronarëve të automjeteve, paratë për to, vihet në pranga 22-vjeçari dhe shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Në hetim edhe një shtetas tjetër, pasi dyshohet se duke patur dijeni për këtë veprimtari të kundërligjshme, i përvetësonte këto automjete, me qëllim shitjen.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, si rezultat i një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Skema”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi E. Ç., 22 vjeç dhe u shpall në kërkim shtetasi G. Ç., 33 vjeç, të dy banues në Shkodër.
Nga provat e siguruara gjatë hetimit, rezultoi se shtetasit E. Ç. dhe G. Ç., në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mashtronin shtetas të ndryshëm, me pretendimin se çmimin për blerjen e automjeteve (kryesisht luksoze), do e transferonin në llogarinë bankare përkatëse të shitësit të automjetit. Këta shtetas, edhe pasi i merrnin në posedim automjetet, nuk e paguanin çmimin e tyre, përmes llogarive bankare.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin B. H., 44 vjeç, pasi dyshohet se duke patur dijeni për këtë veprimtari të kundërligjshme, i përvetësonte këto automjete, për t’i shitur ato, me çmime më të larta.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestruan 6 automjete luksoze të tipeve “Audi”, “Mercedes-Benz” dhe “Porsche”.
Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale, si dhe për kapjen e shtetasit G. Ç.
Gjithashtu, strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër apelojnë për qytetarët që kanë rënë pré e mashtrimit nga këta shtetas, që të paraqiten në ambientet e Policisë, për të denoncuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, per veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.