Kryeministri Edi Rama kë bërë me dije se këto ditë në agjendën e qeverisë shqiptare do futet edhe miratimi i basteve online.
Kreu i qeverisë e ka bërë me dije këtë lajm në ceremoninë e ‘Mirënjohjes Publike’ për shtatë sportistët kampionë, që kanë ngritur flamurin kuqezi në Evropë dhe Botë. Briken Calja, Erkand Qerimaj, Zelimkhan Abakarov, Lara Colturi, Eklent Kaçi, Alban Beqiri dhe Genta Beqja janë emrat që kanë bërë të këndohet himni shqiptar në disiplina të ndryshme, duke merituar shpërblimin dhe mirënjohjen në ceremoninë e zhvilluar këtë të martë në kryeministri.
Dy nga shtatë yjet e sportit të vlerësuar janë të natyralizuar në nënshtetësinë shqiptare, me Abakarov që është shtetas rus dhe Colturi italiane. Kampionët e disiplinave të peshëngritjes, mundjes, skive, bilardos, boksit dhe bodybuilding, janë vlerësuar në cermoninë e veçantë. Të pranishëm në këtë event kanë qenë edhe kreu i KOKSH, Fidel Ylli dhe ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. Në fjalën e tij, kryeministri Rama ka thënë se për bastet online do ketë edhe një bord mbikëqyrës nga secila federatë sportive.
“Më lejoni t’i uroj mirëseardhjen kreut të Federatës Botërore të Peshëngritjes, mikut im Muhamed. Na lejoni të nderojmë kampionët tanë të rinj, që kanë ngritur flamurin kombëtar dhe kanë bërë të këndohet himni ynë kombëtar në arenën evropiane dhe botërore.
‘Yjet e mirënjohjes publike’ janë shprehje e admirimit, respektit dhe mirënjohjes për çka bëni për Shqipërinë dhe shoqërinë. Jemi të vendosur ta thellojmë mbështetjen për sportistët elitarë, ashtu si lëvizjen në shkolla. Janë dy binarë që çojnë sportin përpara, duke marrë në konsideratë nevojat e atyre që mund të dalin kampionë. Duam të shtojmë një mbështetje për periudhat stërvitore speciale, që së bashku me trajnerët të kenë kushte të denja.