Nga kjo e hënë, 5 deputetë, 3 nga Partia Demokratike dhe 2 nga Partia Socialiste nuk do të jenë më pjesë e parlamentit të Shqipërisë, për shkak të kandidimit të tyre në zgjedhjet vendore të 14 Majit.

Mandati i deputetit i është dorëzuar më herët në Kuvendit nga Luciano Boci dhe Belind Këllici, ndërsa mëngjesin e së hënës dorëzuan mandatin edhe dy deputetët socialist Benet Beci dhe Besjan Ajazi. Në kuvend ende nuk ka dorëzuar mandatin deputeti demokrat Zef Hila.

Ndërsa afati për të regjistrimin përfundimtar të kandidatëve pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve është mesnata e kësaj të hëne, forcat politike kanë bërë publike listat e kandidatëve me të cilët do të garojnë.

Partia Socialiste, në 44 bashki vendosi të garojë me kryetarët aktualë, duke u besuar një mandate tjetër.

Asnjë ndryshim nuk kishin listat e kandidatëve për bashkitë në qarkun e Tiranës, të Beratit, Korçës, Durrësit dhe Lezhës.

Ndërsa ‘dora e hekurt’ që vijon të drejtojë duke shënuar rekord në rikandidimin e tij për herë të shtatë, është Gëzim Topçiu, i vetmi administrator i denjë që mesa duket banorët e Maliqit besojnë.

Në qarkun e Fierit, përpos rikonfirmimeve, u shfaqën dy figura të reja; Fatjon Duraj në Bashkinë e Patosit me profesion Inxhinier, dhe Josif Goreja në Bashkinë e Divjakës, investitor, njohës dhe njohës I sektorit të bujqësisë.

Rrokada ka ndodhur në qarkun e Vlorës, ku socialistët i japin shansin e rikandidimit vetëm Jorgo Goros, kryetarit atual të bashkisë së Himarës. Në të gjitha bashkitë e tjera, kanë propozuar emra të rinj, ku në Vlorë kandidon Ermal Dredha, në Delvinë Besmir Veliu, në Finiq Romeo Ckulli, në Konispol Erges Dule dhe në Sarandë kandidon Olti Caci.

Nga 3 bashki të qarkut të Kukësit, socialistët propozojnë ndryshime vetëm në Has, ku garojnë me Halit Mulajn, ndërsa konfirmohet Safet Gjici dhe Rexhë Byberi në dy bashkitë e tjera.

Në qarkun e Gjirokastrës, PS do hyjë në garë me Leonard Hiden në bashkinë e Libohovës, I ardhur nga radhët e policisë, ndërsa konfirmojnë në garë 6 kryebashkiakë aktualë.

Edhe në qarkun e Elbasanit në 4 bashki do të garojnë kryetarët aktualë, ndërsa në Gramsh, kandidat është Besjan Ajazi që vjen nga radhët e deputetëve, në Peqin Bukurosh Maci, kryetar aktual I degës së ps dhe Mariglen Disha në Librazhd, ish-drejtor i Kadastrës së Elbasanit.

Me shumë ngulm, Benet Beci kërkon të marrë drejtimin e bashkisë Shkodër, ndërsa Kristian Shkreli, zv. Kryetar bashkie kërkon postin e kryetarit në Vaun e Dejës. 3 kryetarët e bashkive të tjera të Qarkut, vijojnë garën për një tjetër mandat.

Për qarkun e Dibrës, nga selia rozë u konfirmua për një figurë të re në Klos, Valbona Kola me profesion Mjeke, ndërsa në Bulqizë, postin e Lefter Allës e kërkon Festime Mjeshtri, aktualisht kryetare e PS Bulqizë. Besimin për rikandidim në këtë qark e ka fituar Rrahim Spahiu në bashkinë Dibër dhe Agron Malaj në Mat.