Sulmi kriminal ndaj televizionit kombëtar Top Channel, ku viktimë mbeti roja i objektit Pal Kola, është një prej ngjarjeve më të rënda të shënuara në vend. Krimi po bën ligjin sot kudo dhe nuk pyet më për jetët e pafajshme që merr.

Ai godet pa mëshirë në rrugë e sheshe, drejt objekteve private apo publike dhe së fundmi edhe drejt televizioneve. Edi Rama me deklaratën e tij “kokat e tyre hëngshin”, jo vetëm pranoi rënien e shtetit por i dha krimit lirinë të vepronte i pashqetësuar.

Sot ministri i brendshëm, drejtuesit e lartë të policisë dhe i gjithë zinxhiri përgjegjës për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike do të duhej të kishin dhënë dorëheqjen, e bashkë me to edhe përgjegjësi kryesor për situatën e rendit, kryeministri i vendit Edi Rama. I shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve të Pal Kolës dhe duke mbështetur median në misionin e saj, uroj që kjo ngjarje e rëndë të zbardhet sa më parë, që autorët të marrin ndëshkimin e merituar.