Të nderuar bashkëqytetarë shkodranë,

Kur dy vite më parë mora ftesën nga kryeministri Rama për të garuar për një vend në parlament, si përfaqësues i Partisë Socialiste për Qarkun e Shkodrës, e kam thënë shpesh, kam patur dilemat e mia të forta personale dhe familjare. Nuk jam penduar asnjëherë për këtë vendim. Siç e kam thënë edhe më herët, arsyeja e vetme për të cilën jam bindur për të hyrë në politikë është Shkodra, mundësia për të bërë më shumë, për t’i kthyer mbrapsht aq sa të mundem Shkodrës së rrënjëve të mia, si një borxh familjar, personal dhe politik. Mikpritja që më kanë bërë socialistët e qarkut Shkodër ka qenë surprizuese për mua; u jam vërtet mirënjohës, siç i jam mirënjohës kryeministrit Rama, që më ftoi ta merrja këtë hap, e në mënyrë të veçantë çdo qytetari të qarkut të Shkodrës që, përmes votës, më dha privilegjin e besimit.

Unë besova fort se përmes kësaj përvoje të re në karrierën time, do të mund të kontribuoja shumë më fort për qarkun e Shkodrës. Por unë nuk jam politikani tipik, as socialisti tipik.
Unë jam njeri i punës, jo shumë i fjalëve. Ka plot kolegë që e bëjnë atë punë shumë më mirë se unë, politika nuk duket se është rruga ime. Karriera ime është ajo e menaxherit dhe administratorit të punëve publike; këtë punë kam bërë për më shumë se 20 vite. E gjithë përvoja ime është me i kthy idetë në projekte, projektet në punë konkrete të prekshme. Ndaj sot unë po tërhiqem nga roli i deputetit.

Me shumë mirënjohje për besimin që Partia Socialiste po më jep, jam gati për të marrë sfidën e kandidimit për bashkinë e Shkodrës. Megjithëse jam shumë i ndërgjegjshëm për sfidën shumë të vështirë që më pret, e marr me shumë dëshirë dhe ambicie pozitive.
Shpresoj shumë që do të mundem ta nis këtë rrugë të re, përmes mbështetjes suaj dhe me bekimin e familjarëve të mi! E kjo rrugë do të jetë në fakt drejtimi që mora dy vite më parë: zhvillimi i Shkodrës.

Shkodra ka nevojë për punë, jo për politikë.
Do të kemi shumë për t’i thënë njëri-tjetrit në ditët në vijim! Sonte sinqerisht dua veç të them, shumë faleminderit!

#shkodrapozitive