Në galerinë “Oda” u çelën edhe për këtë vit aktivitetet kulturore ku siparin e tyre e ngriti një ekspozitë e ndërthurur me piktura dhe skulptura nga dy artistë të rinj shqiptarë nga Shkupi dhe Tetova me titullin “Grotesk dhe dëshpërim”.
Nga një shtëpi e vjetër shkodrane, galeria “Oda” është kthyer në një “shtëpi” artistësh ku përparësi kanë të rinjtë që sjellin një frymë ndryshe me artin e tyre.Në linjën e këtij qëllimi të galerisë ishte edhe ardhja e piktores Endrita Purellku dhe skulptorit të ri Fatlon Ibishit ku e para e gjen frymëzimin tek temat bashkohore dhe kontemporane e i dyti tek rrënjët e së vjetrës dhe tradita.
Artin e dy të rinjve e vlerëson edhe Saimir Strati, mjeshtri i ndërtimit të mozaikëve që kësaj here erdhi në rolin e kuratorit të ekspozitës.Akoma më të veçantë këtë ngjarje të parë kulturore për këtë vit në galerinë “Oda” e bëri prania e artistes së njohur Eda Zari, e cila kishte ardhur si vizitore në këtë ekspozitë ndërsa të tjera e presin këtë galeri në muajt në vazhdim.