Avokati i Diana Bahçjas ka falenderuar median dhe njerëzit që janë interesuar për rastin e nënës lehonë. Pas përfundimit të seancës, ai u shpreh se shumë njerëz janë ofruar për të paguar gjobën e Dianës. Po ashtu, ai shtoi se vendimi i sotëm, është bazuar tek dashuria që nëna ka për fëmijën.

‘Kam falenderim për median shumë, pa ju do ishte e pamundur që të realizohet. Ndërhyrja që keni bërë ka ndikuar shumë. Ne kemi marrë shumë telefonata dhe njerëz të shumtë që janë vetëofruar për të paguar gjobën. 150 mijë lekë do jetë, nuk e di do ulemi e do shohim sa është gjoba.

Prokuroria ka qëndrimin e saj, ne sot kemi depozituar 2 kërkesa të tjera për të bërë ankim ndaj secilit vendim. E rëndësishme është se Diana do shkojë te fëmija e mitur, është një gjyq që tregon se dashuria e nënës është gjëja më e rëndësishme që është në tokë, e ka ndikuar shumë për marrjen e këtij vendimi’- tha avokati.

Rasti i Diana Bahçjas ka marrë vëmendjen e publikut për shkak të paradoksit nga drejtësia shqiptare. Diana Bahçja ishte dënuar nga gjykata me gjobë, pasi pas ndarjes nga burri i parë, martesë nga e cila kishte një vajzë, nuk i ishte përgjigjur detyrimit që kishte për fëmijën. Ky pretendim mohohet nga Diana që deklaron se ish-burri e dhunonte. Por çudia ka ndodhur me vendimin e gjykatës. 3 vite pasi Diana Bahçja mori gjobën, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi ta konvertonte dënimin nga gjobë në 50 ditë burg, pa marrë parasysh faktin se ajo është nënë e një fëmije të porsalindur.

Pa asnjë dijeni ajo u arrestua dhe ndodhet në burg, edhe pse ligji bën një tjetër parashtrim për rastin e saj. Diana Bahçja përfiton nga ligji dhe Kodi Penal, që parashikon shumë qartë se në rastin kur nëna është shtatzënë ose ka fëmijën nën 1 vjeç, atëherë ekzekutimi i vendimit për dënim edhe në rast se është i drejtë, do të duhet të shtyhet derisa bebi të mbushë 1 vjeç. Kjo në rastin e saj nuk ka ndodhur. Nëna është në burg ndërsa për fëmijën që ka nevojë urgjente dhe të pajustifikuar për nënë, është duke u kujdesur i shoqi, Naim Bahçja bashkë me mbesën e tij 11-vjeçare./Dosja.al