Ditën e sotme, rreth orës 12:30 pritet që të zhvillohet seanca gjyqësore në Gjykatën e Tiranës për nënën lehonë, Diana Bahçen, e cila u arrestua pak ditë pasi lindi djalin e saj. Ajo u vu në pranga pasi kishte marrë një gjobë prej 250 mijë Lekësh që iu konvertua në një muaj burg.
Avokatët kërkojnë pezullimin provizor të këtij vendimi dhe të ekzekutohet pasi foshnja të mbushë 1 vjeç. Pas vendimit të sotëm pritet të ketë edhe një konferencë për mediat nga avokatët.
Rasti i Diana Bahçjas ka marrë vëmendjen e publikut për shkak të paradoksit nga drejtësia shqiptare. Diana Bahçja ishte dënuar nga gjykata me gjobë, pasi pas ndarjes nga burri i parë, martesë nga e cila kishte një vajzë, nuk i ishte përgjigjur detyrimit që kishte për fëmijën. Ky pretendim mohohet nga Diana që deklaron se ish-burri e dhunonte. Por çudia ka ndodhur me vendimin e gjykatës. 3 vite pasi Diana Bahçja mori gjobën, Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, vendosi ta konvertonte dënimin nga gjobë në 50 ditë burg, pa marrë parasysh faktin se ajo është nënë e një fëmije të porsalindur.
Pa asnjë dijeni ajo u arrestua dhe ndodhet në burg, edhe pse ligji bën një tjetër parashtrim për rastin e saj. Diana Bahçja përfiton nga ligji dhe Kodi Penal, që parashikon shumë qartë se në rastin kur nëna është shtatzënë ose ka fëmijën nën 1 vjeç, atëherë ekzekutimi i vendimit për dënim edhe në rast se është i drejtë, do të duhet të shtyhet derisa bebi të mbushë 1 vjeç. Kjo në rastin e saj nuk ka ndodhur. Nëna është në burg ndërsa për fëmijën që ka nevojë urgjente dhe të pajustifikuar për nënë, është duke u kujdesur i shoqi, Naim Bahçja bashkë me mbesën e tij 11-vjeçare./Dosja.al