Ambasada e Turqisë në Shqipëri përkujtoi në Shkodër 108-vjetorin e fitorës në luftën e Çanakalasë, një ndër beteja më të mëdha në luftën e parë botërore. Turqia u shpall fituese përballë ushtrisë angleze dhe franceze. Ambasadori turk në Shqipëri Tayyar Atay duke përkujtuar tek memoriali i Hasan Riza Pashës, 108-vjetorin e Çanakalasë falenderoi Shqipërinë për mbështetjen pas tërmetit të 6 shkurtit të këtij viti në shtetin turk.

Pushtimin e Turqisë për afro 500 vite ndaj shqiptarëve, ambasadori turk në këtë ceremoni e cilësoi si një jetesë në paqe mes kombit turk e atij shqiptar ndërsa tha se Turqia feston edhe 102-vjetorin himnit kombëtar të shkruar nga poeti me origjinë shqiptare Mehmet Akif Ersoy.

Lufta e Çanakalasë u zhvillua nga 25 prilli i vitit 1915 deri më 9 janar 1916 në Turqi duke qenë ndër betejat më të mëdha në luftën e parë botërore përballë ushtrisë angleze dhe franceze e cila u mbyll me fitoren e turqve në një luftë që mori jetën e afro 280 mijë personave mes të cilëve 25 mijë shqiptarë.