Arrestimi i nënës në Shkodër ka sjellë debat në Kuvend mes opozitës dhe maxhorancës.

Deputetja demokrate Dhurata Çupi kërkoi ndryshimin e rendit të ditës në Kuvend për burgosjen e nënës lehonë. Gjatë fjalës së saj në Kuvend, Çupi tha se është e padrejtë dhe e dhimbshme të ndash fëmijën nga nëna.

“Është një ngjarje e rëndë, e dhimbshme , e rënde, dëshpëruese. Ne këtu duhet të kemi një seancë debati për ngjarjen e gruas lehonë në Shkodër që u arrestua. Ne duhet të kemi një diskutim me ministrin e Drejtësisë. S’duhet të ketë asnjë seancë tjetër përpos kësaj. Drejtësia është e padrejtë me njerëzit e thjeshtë. Këtu para disa ditësh s’ngeli deputet pa uruar 8 marsin për like dhe sot s’ka asnjë reagim. Kështu duhet të niste sot seanca plenare.”- tha Çupi.

Deputetja e PS, Klotilda Bushka është shprehur se s’ka nevojë për debat, teksa tha se po merren masat e nevojshme.

Është i parashikuar qartësisht se një nënë lehonë s’mund të mbahej me një fëmijë në burg. Se ku ka çaluar çështja i takon organeve të drejtësisë nuk ka nevojë për debat. Gjithsesi jemi në një mendje me ju, këto ngjarje nuk mund të ndodhin. Jemi mbledhur, kemi diskutuar dhe siç kemi vepruar gjithnjë do të bëjmë punën tonë që rastet e tilla mos të përsëriten. Thënë këtë nuk është hera e parë që ne do duhet të veprojmë dhe do të jemi të kujdesshëm. Marsi nisi me vrasjen grave, erdhi  i përgjakur. Dhe ne do të vijojmë të marrim masat përkatëse me çfarë mund të bëjmë më mirë. U bej thirrje organeve të drejtësisë të përshpejtojnë zgjidhjen e çështjes në fjalë.”- tha Bushka.