Dy avokatët, Anton Kosteri dhe Edit Gyrcari kanë kërkuar që Diana Kolaveri Hoshi, nëna lehonë, të lirohet nga qelia dhe të kryejë dënimin pasi fëmija i saj të mbushë 1-vjeç. Ata thonë se mbajtja e një gruaje lehonë, e cila ka vetëm 10 ditë që ka sjellë në jetë fëmijën, është e dëmshme si për beben, por edhe vetë shëndetin e saj.
“Nga ana tjetër, duke marrë parasysh rrethanat krejtësisht të paprecedenta në historinë e drejtësisë penale, ku një nënë lehonë burgoset vetëm 10 ditë pasi ka sjellë në jetë një fëmijë (për një vepër penale shumë të lehtë dhe që gjykimi i së cilës është zhvilluar në mungesë, pa dijeninë e saj), përmes kërkesës objekt që kemi dorëzuar në Gjykatë, ne kërkojmë që ndaj saj të merren disa masa pezulluese provizore për të ndaluar vijimin e ekzekutimit të tij, duke e shtyrë deri sa fëmija i mitur i sjellë në jetë të bëhet 1 vjeç. (…)Nga ana tjetër, nuk është e nevojshme të sqarojmë se burgosja e një gruaje lehonë (disaditëshe) dhe që duhet të ishte në regjim shtrati në shtëpi dhe të ushqente me gji të sapolindurin e saj, rrezikon që të shkaktojë dëme të pariparueshme shëndetësore deri edhe rrezikimin e jetës së vetë kërkueses”, thuhet në dokument.
Ata këmbëngulin që gruaja nuk kishte dijeni për dënimin.
“Kërkuesja Diana Bahçja (Hoshi) nuk ka pasur dijeni dhe nuk është njoftuar as për vendimin penal të themelit (dënimit) Nr. 1054, datë 18.06.2020 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë me të cilin është dënuar me gjobë dhe aq më pak për vendimin penal të konvertimit të gjobës në burgim me Nr. 113 A, datë 13.06.2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”, thuhet në njoftim.
Comments are closed.