Avokati Redi Ramaj thotë se Diana Bahçja, e cila u arrestua për akuzën e braktisjes së fëmijës së parë vetëm 8 ditë pasi solli në jetë fëmijën e dytë, duhet të ishte njoftuar për vendimin. Në një intervistë për Report Tv shprehet se ekzistojnë 2 hapa ligjorë që mund ta nxjerrin nga qelia.

“Hapi i parë është iniciativa e Prokurorisë së Shkodrës për të shtyrë ekzekutimn e vendimit. E dyta nga avokati për shtyrjen e vendimit dhe për të parë situatën pse është dënuar me gjobë”, tha Ramaj.

Në emisionin “Sot live në Shqipëri” me gazetarin Nertil Agalliu, Ramaj tha se institucionet shqiptare s’duhet të neglizhojnë hetimet ndërsa thekson se interesi i fëmijës duhet të jetë mbi gjithçka.

“Të gjithë institucionet shqiptare neglizhojnë kryerjen e një hetimi të plotë të shtetasve që mund të kenë vendim të formës së prerë. Ihnstitucionet e drejtësisë duke nisur nga ILD dhe KLGJ duhet të kryejnë hetim se si është dhënë vendimi me gjobë i formës së prerë. Bashkëshorti thotë se s’ka pasur informacion.

Interesi i fëmijës duhet të ishte mbi gjithçka tjetër. Nuk është interesi i shoqërisë të vuajë një zonjë dënimin 50 ditësh, ka apo nuk ka faj por interesi i fëmijës është më i lartë. Legjislatori i referohet rasteve të veçanta kur gratë janë shtatzënë apo kanë fëmijë të mitur. S’mund të ekzekutohet vendimi kur fëmija është 8 ditësh por të bëhej kërkesë në gjykatë për shtyrjen e vendimit”, tha Ramaj.

Diana Bahçja është dënuar me 50 ditë burg për braktisjen e fëmijës nga martesa e parë, por bashkëshorti i saj Naim Bahçja pretendon se është detyruar të largohet pasi ish-bashkëshorti e dhunonte dhe nuk e lejonte të takonte vajzën. 28-vjeçari kërkon lirimin e gruas pasi e ka vështirë qoftë për ushqyerjen ashtu dhe për kujdesin e djalit që sapo ka mbushur dy javë.