Farida Zmijani Ramadani është 65-vjeçarja shkodrane që ka fituar çmimin e publikut në “Miss Mama”. Mes shumë konkurenteve, ajo është zgjedhur më e bukura, pasi ka edhe një trup super në formë.
Në një lidhje me Skype për “ABC e Mëngjesit”, Farida ka treguar se është marrë gjatë gjithë jetës me sport dhe ka shijuar çdo moment, si për shembull, hedhjen me parashutë.
Ajo sakaq, ka zbuluar se me profesion ka qenë mësuese, ka botuar 7 libra dhe ka kontribuar shumë për figurën e gruas në Shkodër.
“Faktikisht ndoshta edhe sporti ka ndikuar që ne mos të biem fizikisht. Jam munduar të ha shëndetshëm, normalisht vitet janë mbi supe, nuk mund t’i fshehim, por e mira është të jetojmë mirë dhe t’i marrim më të bukurat e jetës.
Unë jam një grua që kam dashur me prek gjithçka, kam hyp me parashutë, kam shku me polumbarë, gjithkund. Unë kam qejf me sfidu veten, me sfidu moshën. Nuk e kam qejf më përpara, pavarësisht se këtu në Shkodër më thoshin, je alamet gruaje, alamet zonje, se edhe vetë trupi nga sporti 1.75 e gjatë është goxha.
Mirëpo, tani që u dha ky rast, thash edhe me thy një tabu. Ishte edhe një mision për gratë e dhunuara. Unë prej 7 vitesh bëj një aktivitet për gratë e suksesshme të Shkodrës, kam kontribuar gjithmonë për gratë.
Unë kam qenë mësuese prej 37 vitesh, kam botuar 7 libra, jam shkrimtare. Merrem me këto dy aktivitetet, Festivalin dhe Gratë e suksesshme, jam drejtuese e Lëvizjes ‘Gratë formojnë vlerat në Shkodër’”, u shpreh Farida.