Kryeministri Edi Rama njoftoi se paga minimale në fund të mandatit qeverisës në vitin 2025 do të jetë 45 mijë lekë të reja. Përmes një postimi në ‘Facebook’ Rama shkruan sot se Shqipëria e nisi nga vendi i fundit për pagën minimale dhe sot është në vendin e tretë pas baraz me Maqedoninë e Veriut dhe duke lënë pas Kosovën dhe Bosnjën.

Rama shton se nuk janë dëshirat e qeverisë që e përcaktojnë, por produktiviteti ekonomik.

‘E kemi nisur nga vendi i fundit në rajon për nivelin e pagës minimale, ndërsa me rritjen e fundit ngjitemi në vendin e tretë baraz me Maqedoninë e Veriut, duke lënë pas Bosnjë-Hercegovinën dhe Kosovën.
Do të bëjmë edhe dy rritje të tjera për ta mbyllur këtë mandat me pagë minimale 45 mijë lek, nga 38 mijë që ishte objektivi ynë elektoral, por që s’merrte parasysh inflacionin e luftës së Putinit për të gjunjëzuar ekonomikisht mbarë Europën!

Ndërkohë kjo rritje përtej parashikimeve e pagës minimale imponon edhe rritjen e pagës mesatare për të riekuilibruar piramidën e pagave, çka do të bëhet njëkohësisht në muajin prill
*Disa komentojnë se paga minimale duhet të bëhet 70 apo 80 mijë lekë, por përllogaritja e pagës minimale bazohet në produktivitetin ekonomik dhe konkurueshmërinë, jo në dëshirat tona (asnjë vend i rajonit nuk e ka një minimum të tillë). Çdo rritje artificiale e saj sjell me shpejtësi pasoja destabilizuese për ekonominë, punësimin, financat e vendit.’- shkruan Rama.

Një ditë më parë, kryeministri Edi Rama pranoi shpopullimin e Shqipërisë, duke prezantuar më tej disa masa që do ndërmarrë Qeveria shqiptare. Gjatë prezantimit të vizionit për Tiranës, Rama tha edhe një herë se do rriten pagat dhe duke nxitur të rinjtë që të studiojnë degë si agronomia.

Sipas tij, paga minimale pritet të rritet deri në 450 mijë lekë deri në vitin 2025. Kreu i qeverisë e krahasoi situatën me disa vite më parë dhe tha se nëse më herët që gjithë ankoheshin se nuk kishte vende pune apo punonjës të mirë, sot problem është kthyer mungesa e krahut të punës.