Policia e Shtetit ka zbardhur dinamikën e masakrës së Don Boskos që ndodhi një natë më parë në lokalin që është në pronësi të një personi me precedentë penalë, Fatjon Murati. Në një njoftim zyrtar, bëhet me dije se autorët kanë qenë dy dhe kanë përodrur një mjet të vjedhur në Durrës, që i kanë vendosur targa të huaja. Policia sqaron se autorët kanë zbritur nga mjeti dhe kanë qëlluar në këmbë drejt lokalit. Më pas, janë larguar në drejt të Vorës, ku në fshatin Likmetaj kanë djegur dhe makinën.
Njoftimi i policisë:
Dinamika e kësaj ngjarjeje është si mëposhtë: Autorët janë afruar me automjetin tip BMë, me targa të huaja në rrugën “Anastas Shundi”, kanë ndaluar makinën përbri lokalit të shtetasit F. M., dhe dy nga autorët kanë zbritur nga makina duke hapur zjarr me breshëri në drejtim të lokalit. Pas kësaj autorët kanë hipur në automjet dhe janë larguar me shpejtësi në drejtim të spitalit ushtarak, kanë vazhduar në autostradën Tiranë – Durrës, kanë devijuar rrugën në mbikalimin e Vorës dhe kanë djegur automjetin në fshatin Likmetaj. Strukturat e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe me mbështetjen e Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë duke analizuar informacionet për autorë të dyshuar dhe për motivet e kësaj ngjarjeje.
Masakra ndodhi një natë më parë në Don Bosko. Dy persona qëlluan me breshëri plumbash në drejtim të lokalit të Fatjon Muratit duke lënë të vdekur banakieren Mimoza Paja, 60 vjeçe dhe pesë të tjerë të plagosur, mes tyre dhe një vajzë 10-vjeçare që u dëmtua nga xhamat e thyer. Të plagosurit e tjerë janë Sahit Murati (xhaxhai i Fatjon Muratit), Astrit Meraj, Emanuel Sala, Ermir Bejuku, Genc Shohalli, të gjithë jashtë rrezikut për jetën. Murati vetë ndodhej jashtë Shqipërisë në momentin që u krye atentati. Ai është i njohur në botën e krimit dhe si miku i ngushtë i Endrit Dokles, madje është marrë në pyetje për masakrën e Fushë Krujës, ku mbeti i vrarë Brilant Martinaj me dy miqtë e tij.
Comments are closed.