Qindra banorë të Dukagjinit kanë protestuar sërish këtë të dielë nën thirrjen “Dukagjini kërkon rrugën”. Sot kjo protestë ka pasur edhe një simbolikë të vecantë, në 16 vjetorin e aksidentit tragjik në Kir të Dukagjinit, ku humbën jetën 10 persona në 12 Mars të vitit 2007.
Protestuesit kanë ripërsëritur sërish apelin drejtuar institucioneve për të ndërtuar rrugën që lidh Shkodrën me këtë zonë
Në deklaratën për shtyp, lexuar para protestuesve, banorët e Dukagjinit kërkojnë :
Të merren masat e nevojshme për ndërtimin e segmentit rrugor që lidh Prekalin, njësitë Administrative të Pultit, të Shoshit dhe të Shalës, në përkim me normat e miratuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar;
Mirëmbajtjen e rrugës ekzistuese derisa të nisin punimet për Rrugën e Re;
Duke qenë se Ligji Nr. 119 për të Drejtën e Informimit ndër të tjera thekson se:
«çdo person gëzon të drejtën e njohjes me informacionin publik», dëshirojmë të njohim të vërtetën -për aq sa i lejohet qytetarëve të Republikës së Shqipërisë- nga autoritetet kompetente rreth programit dhe rreth të gjitha dimensioneve të tjera logjistike lidhur me Rrugën e Dukagjinit;
Falenderojmë z. Benet Beci, deputet i Qarkut të Shkodres dhe z. Tonin Deda, përfaqësues i Bashkisë Shkodër për përgjigjen e tyre mediatike relative me protestën e datës 20 shkurt. Duke qenë se deklaratat e dy zyrtarëve në fjalë janë ‘sigurisht’ me karakter divulgativ, atëherë në përkim me ligjin mbi të Drejtën e Informimit kërkojmë:të njohim të vërtetën me anë të publikimit mediatik të dokumentacionit zyrtar konkret në lidhje me pohimet që zotërinjtë e lartpërmendur kanë bërë në dy deklaratat e tyre.
Comments are closed.