Rastet e shantazhimeve dhe kërcënimeve nëpërmjet rrjeteve sociale janë kthyer në një shqetësim të madh sot për shoqërinë tonë. I tillë është edhe rasti transmetuar në Fiks Fare mbrëmjen e së hënës,ku një e vajzë nga Lezha shantazhohet nga një djalë me të cilin kishte shkruajtur për një javë në rrjetet sociale. Edhe pse kanë kaluar plot 4 vite nga ky komunikim përndjekja dhe shantazhimi ende vazhdon.

Për këtë arsye vajza i drejtohet Fiks Fare pasi e sheh të pamundur të gjejë drejtësi në policinë e Lezhës, pasi përndjekësi është djali i një polici.

“Para 4 vitesh kam komunikuar për rreth një javë në rrjetet sociale me këtë djalin dhe më pas i mbylla komunikimet me të, por sot e kësaj dite me këto biseda ai më shantazhon duke ia dërguar familjes time dhe bashkëshortit“, shprehet denoncuesja. Ajo pohon se që në momentin që ia kishte komunikuar që nuk do të flisnin më, ai e kishte kërcënuar se do të bënte publike bisedat e tyre nëse nuk do i jepte 2 mijë euro. Pyetjes së gazetarëve të Fiksit se pse nuk i është drejtuar policisë , vajza u shpreh se ka shkuar disa herë të bëjë denoncim. Por denoncimi nuk i është mbajtur nga policia, pasi djali që ajo do të akuzojë të atin e ka polic. Bëhet fjalë për Blerim Bushgjokën djali i policit Pal Bushgjoka.

Denoncuesja shprehet se ka takuar edhe vetë policin Pal Bushgjoka dhe se ky i fundit i ka thënë se do e zgjidh ai këtë çështje, por shantazhet ende vazhdojnë. Me adresa false të ndryshme Blerimi i shkruan familjarëve të denoncuese duke u kërkuar që ta bëjnë vajzën të flasi me të ose në të kundërt do nxjerri bisedat. Jo vetëm për vajzën por edhe për familjarët e saj situata është bërë shumë shqetësuese dhe nuk po gjejnë dot zgjidhje.