Qeveria e Britanisë së Madhe ka bërë sërish thirrje dhe ka paralajmëruar grupet e trafikantëve që kalojnë emigrant të paligjshëm përmes kanalit të La Manshit. Kryeministri i Britanisë, Rishi Sunak thotë se ka ardhur koha që të veprohet më me ashpërsi mbi klandestinët. Projektligji i ri që pritet të prezantohet nga Rishi Sunak synon të lërë jashtë shqyrtimit të gjitha format e kërkesave për azil që janë bërë nga ata emigrant që futen në vend përmes gomoneve.
“Emigrantët që mbërrijnë ilegalisht mund të ndalohen gjithashtu nga kërkimi i ligjeve të të drejtave të njeriut për të qëndruar këtu. Për vite të tëra, trafikantët e pamëshirshëm kanë kryer shërbimet e tyre të paligjshme nga Franca dhe kanë sjellë 46,000 persona vetëm gjatë vitit 2022,”- tha Sunak.
Suella Braverman e ka përforcuar këtë gjë duke u shprehur se asnjë emigrant i paligjshëm nuk do të qëndrojë më në Britani. Ajo thotë se do të vendosin një frenim të ri për ta dhe se çdo emigrant i paligjshëm do të kthehet në vendin e tij të origjinës që në momentin e parë që do të kapet.
“Mjaft është mjaft. Kërkesat e të gjithë emigrantëve që mbërrijnë në Britaninë e Madhe përmes gomoneve do t’i konsiderojmë të papranueshme. Ata do të largohen nga vendi sa më shpejt të jetë e mundur nga ku kanë ardhur ose në një vend të tretë të sigurt. Populli britanik dëshiron që kjo të zgjidhet. Kjo është arsyeja pse unë dhe kryeministri kemi punuar pa masë për të nxjerrë ligje të nevojshme dhe efektive që do ta trajtojnë këtë problem, njëherë e përgjithmonë. Nëse vini këtu ilegalisht do të ndaloheni dhe do të largoheni me shpejtësi. E vetmja rrugë për në MB do të jetë një rrugë e sigurt dhe ligjore,”- tha Braverman.
Rishi Sunak dhe Braverman do të udhëtojnë për në Paris të premten për të folur rreth krizës së emigrantëve. Gjatë muajve të fundit, ai ka qenë në bisedime intensive me Sektorin e Brendshëm dhe një rreth të vogël, të besuar të brendshëm të ministrave dhe këshilltarëve për të përpiluar një plan. Në vitin 2022, më shumë se 45,000 njerëz mbërritën në Mbretërinë e Bashkuar me anije të vogla krahasuar me 28,000 një vit më parë. Mes tyre janë raportuar se kanë qenë 10 mijë shqiptarë.
Emigrantët shqiptarë kanë qenë kryefjala e mediave britanike muajt e fundit dhe sekretarja e Brendshme Suella Braverman është treguar mjaft e ashpër me ta. Referuar numrit të burrave shqiptarë që kanë ‘zbarkuar’ në brigjet britanike, rreth 10 mijë, Sekretarja e Brendshme britanike është shprehur se vendi po pushtohet prej tyre. Këto fjalë nxitën një retorike të ashpër dhe përgjigjia e kryeministrit Edi Rama nuk mungoi.
Gjuha e Braverman është krahasuar me atë të nazistëve. Një e mbijetuar e Holokaustit rrëfeu për Sky News se gjuha e përdorur nga Sekretarja e Brendshme Suella Braverman për të përshkruar emigrantët është shumë e ngjashme me atë që u përdor në Gjermaninë naziste kundër popullit hebre. Joan Salter, 83 vjeçe, tha se kur dëgjonte termat ‘tufë’ dhe ‘pushtim’, i kujtohej gjuha e përdorur për të justifikuar vrasjen e familjes së saj dhe miliona të tjerëve.
Comments are closed.