Dan Hutra, sfidoi drejtësinë shqiptare dhe kreu një nga masakrat më të rënda në vend, duke vrarë tre gra në Kamëz brenda pak minutash e duke plagosur tre të tjera. Dosja.al siguron dokumentin ku thuhet se Hutra është liruar nga burgu në 16 shkurt 2023, pra vetëm 14 ditë më parë me vendim të gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Gerd Hoxha.
Në këtë vendim thuhet se shuarja e masës së sigurimit personal “arrest në burg” është bërë për shkak se koha e vuajtur në paraburgim është më e madhe se dënimi i dhënë me vendimin nr.385, dt.08.02.2023.
Prandaj edhe është urdhëruar lirimi i menjëhershëm i të pandehurit.
Dan Hutra ishte arrestuar për dhunë në familje në qershor 2022 dhe kishte përfituar nga gjykimi i shkurtuar, duke u liruar përfundimisht në 16 shkurt 2023.
40-vjeçari shkoi mesditën e sotme në shtëpinë e ish-bashkëjetueses duke hapur zjarr me kallashnikov. Për pasojë: Elena Hysa, 35-vjeçe, ish-bashkëjetuesja u plagos, Kujtime Hysa, 60-vjeçe, nëna e ish-bashkëjetueses, u plagosën, ndërsa ndërruan jetë Mevlute Hysa, 30-vjeçe, motra e ish-bashkëjetueses së tij dhe Hasime Dafku, 30-vjeçe, e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses.
Më herët ai kishte plagosur me thikë ish-bashkëjetuesen e tij në zonën e Astirit, Marjana Gurakuqi. Ndërsa më pas u drejtua drejt Kamzës ku vrau në oborrin e banesës së saj 31-vjeçaren, Etleva Kurti./Dosja.al
Comments are closed.