Velipojë, Shkodër/Kontrolle intensive, bazuar në inteligjencën informative, për kapjen e personave që qarkullojnë me armë zjarri dhe sende të kundërligjshme.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Baks”, sekuestrohen 2 armë zjarri (1 pistoletë dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak.
Vihet në pranga 19-vjeçari që u kap në flagrancë nga Policia, duke qarkulluar me 2 armët e zjarrit, në automjet.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Stacionit të Policisë Velipoje, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë organizuar dhe finalizuar një tjetër operacion për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit policor të koduar “Baks”, në fshatin Baks, në Velipojë, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Ford” me drejtues shtetasin D. Sh. Gjatë kontrollit në këtë automjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur 2 armë zjarri (1 pistoletë dhe 1 kallashnikov) dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë drejtuesin e automjetit, shtetasin D. Sh., 19 vjeç, banues në fshatin Trush, Shkodër.
Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Comments are closed.