Kryeministri i Malit të Zi dhe njëkohësisht edhe lideri i Lëvizjes ‘URA’, Dritan Abazoviç u shpreh se i qëndron deklaratave të tij se presidenti malazez, Milo Gjukanoviç do të tërhiqet nga skena politike edhe pse shpalli kandidaturën e tij për zgjedhjet presidenciale të planifikuara për t’u mbajtur në 19 mars.

Bordi kryesor i ‘URA’-s duhet të vendosë këtë javë nëse dhe cilin kandidat do të mbështesë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

I pyetur se çfarë ka ndodhur me deklaratat e tij se Gjukanoviç do të pensionohet këtë vit, të cilat i ka thënë disa herë, Abazoviç ka ripërsëritur vendimin e tij dhe tha se çdo gjë do të jetë e qartë deri më 20 maj, kur do të vendoset presidenti i ri.

“Mendoj se karriera politike e tij ka përfunduar në një mënyrë apo tjetër. Secili e zgjedh rrugën e vet. Kaq, nuk do të kisha koment shtesë. Ndodhi ajo që u premtova qytetarëve. Unë me përgjegjësi pretendoj se ky vit do të jetë vit stabilizimi dhe ne duhet të kalojmë edhe një seksion. Tashmë kemi kaluar shumë gjëra. Duhet të ndodhin shumë gjëra që janë të mira për vendin dhe pas kësaj do të pasojë stabilizimi politik”, tha Abazovic për gazetarët në Kuvend.

Abazoviç tha se me prezencën e Gjukanoviç në skenën politike të Malit të Zi, nuk mund të flitet për stabilizim.

“Është e qartë për të gjithë, si publikun vendas ashtu edhe atë ndërkombëtar”, tha ai.

Abazoviç po ashtu beson se DPS-ja nuk është kurrë më e dobët, edhe pse siç thotë ai, njerëzit kanë komentuar se partia do të rivitalizohet në zgjedhjet e Podgoricës, sepse ka mbështetur qeverinë e pakicës.