Në emisionin “Uniko” u trajtua historia e masakrës së Velipojës të 27 Qershorit 2021, kur 4 persona mbetën të vrarë dhe 2 të tjerë të plagosur. Në emision kanë folur prindërit e vëllezërve Edmond dhe Xhovani Gocaj, të cilët u vranë në konfliktin me armë për ndarjen e zonave të vendosjes së çadrave në plazh. Krimi ndodhi në hotelin e familjes Gocaj në Velipojë.
Prindërit kanë hyrë pas shumë kohësh në dhomën e hotelit të tyre ku qëndronin djemtë. Valixhet, rrobat dhe sendet e tyre kanë mbetur të palëvizura prej Qershorit 2021 kur ndodhi ngjarja. Edhe hoteli i familjes Gocaj qëndron i mbyllur që nga ajo kohë. Dy prindërit nuk e vazhdojnë më aktivitetin e hotelerisë, duke i vënë biznesit kyçin.
“M’i vranë dy djemtë për 10 metra çadra”, thotë mes lotësh mamaja e vëllezërve Gocaj.
Konflikti në atë kohë nisi me familjen Verracaku, të cilët kanë gjithashtu hotel në Velipojë. Këta të fundit kishin shkuar në hotelin e familjes Gocaj, që ndodhet pak metra larg biznesit të tyre, për t’u sqaruar për ndarjen e parcelave në plazh. Por sherri degradoi në përdorimin e armëve dhe mbetën të vrarë dy vëllezërit Edmond dhe Xhovani Gocaj e kamarieri i tyre Myzerim Zeneli.
Ndërsa nga pala tjetër mbeti i vrarë Kujtim Verracaku dhe u plagosën Hasan Verracaku dhe Elmilind Dyli.
Comments are closed.