Ndahet nga jeta qytetari , fisniku , intelektuali dhe legalisti, GËZIM HILMI JUKA më 26 shkurt 2023.
Gëzimi ishte pasardhës i një degëzimi të vjetër dhe fisnik të familjes Juka, të shfaqur në histori qysh në kohën e Karamahmud pashë Bushatit. Gjyshi i Gëzimit, Sait agë Juka, ishte një personalitet i spikatur i parisë shkodrane gjatë periudhës së fundit të perandorisë osmane. Dy herë morri armët kundër pushtuesve malazezë, gjatë rrethimit të Shkodrës në Luftën e Parë Ballkanike dhe në rastin e mësymjes së ushtrive të Malit të Zi në fillim të Luftës së Parë Botërore, kur edhe vdiq si pasojë e plagëve të rënda të pësuara në mbrojtje të atdheut.
Babai i Gëzimit, Hilmi Juka, sikundër pjesëtarët e tjerë të fisit të tij, mbështeti fuqimisht përpjekjet e Ahmet Zogut për ndërtimin dhe konsolidimin e shtetit shqiptar. Për shkak të bindjeve të tij, u internua nga fashistët në Gjirokastër; komunistët e dënuan me 8 vite burg për agjitacion e propagandë.
Shumë vuajtje shkaktoi kjo për familjen e tij dhe për Gëzimin 14-vjeçar. Por Gëzimi nuk u thye. Përkundrazi kjo ia forcoi karakterin dhe e lidhi jashtëzakonisht me të jatin, pasi ky doli nga burgu. Bisedat me babain kultivuan te Gëzimi pasionin për historinë, dashurinë për shtetin shqiptar, të ndërtuar mes një mijë sakrificash, dhe respektin për ligjshmërinë dhe legjitimitetin si dy shtylla mbajtëse të shtetit.
I frymëzuar nga këto parime, Gëzimi shkruajti librat “Shkodranët e 7 prillit dhe të 29 nëntorit” dhe “Shkodra në Triumfin e Legalitetit”. Gëzimi i ka siguruar vetes një vend të përjetshëm në historiografinë e Shkodrës përmes studimeve të tij mbi drejtuesit lokalë të qytetit në veprën “Shteti Shqiptar dhe Shkodra 1912-2012” dhe përmes përmbledhjes së dokumenteve dhe kujtimeve mbi familjen e tij. Për sa kohë gëzoi shëndet të mirë, ai ishte një hulumtues dhe qëmtues i rregullt i arkivave të shtetit shqiptar. Ishte bashkëpunëtor i ngushtë i Bibliotekës Marin Barleti dhe i Revistës Gegnia. Më përpara kishte pasur një karrierë të gjatë si nëpunës publik në fushën e doganave dhe në kompani private të sektorit të hoteleri-turizmit.
Karakteri fisnik dhe humori i këndshëm i fituan Gëzimit shumë shokë, miq dhe dashamirë, të cilët janë sot të pikëlluar për zbazëtinë që lë pas një zotëri i pashoq. Qyteti i Shkodrës ka gdhirë më i varfër nga humbja e një biri që e donte pa kushte dhe pa rezerva.
Fati nuk qé i butë me Gëzimin as në fëmijëri, as më pas. Megjithatë Gëzimi përballoi me dinjitet sfidat dhe hidhërimet, falë mbështetjes dhe dashurisë së bashkëshortes së tij Ehsenit, të cilës i lë një boshllëk të parikuperueshëm. Gëzimin e pasjetojnë fëmijët e tij: Mirgeta, Mirela, juriste dhe drejtuese e një organizate jo-fitimprurëse, dhe Ledioni, sipërmarrës në fushën e hoteleri-turizmit. Përpara katër muajsh, Ledionit i erdhi në jetë djali Joar Juka, dhurata e fundit që Zoti i bëri Gëzimit në jetën tokësore.
Marrë nga faqja e Legalitetit
Comments are closed.