Mbajtja peng e një vajze nga Patosi dhe shfrytëzimi i saj si punonjëse seksi në qytetin e Fierit, ka çuar në pranga tre persona. Një i katërt, i cili konsiderohet nga Policia e Shtetit si kryesori, është shpallur në kërkim por ende nuk ka përfunduar në pranga. Pranvera Isufaj, Aleksandra Toska dhe e mitura A.D. janë arrestuar për veprat penale: “Shfrytëzim Prostitucioni, “Mbajtja e lokaleve për prostitucion” dhe “Heqja e Paligjshme e Lirisë”. Gazetari Elton Qyno shkruan për “OraNews” se në kërkim për 3 akuzat e mësipërme është shpallur dhe Arbër Mehmeti, person ky me precedentë të mëparshëm penalë.
Në 2013, Arbër Mehmeti shpall në kërkim pasi së bashku me Shpëtim Kandën, në vendin e quajtur “Transport Patos”, tentuan të vrasin me armë zjarri, dy të rinjtë E.S dhe E.S, 21 vjeç. Për ngjarjen e 2013, ai duhet të ishte në “arrest shtëpie”, por përdorte si punonjëse seksi vajzën S.M. dhe mbante peng këtë të fundit.
Sipas burimeve policore në 25 shkurt 2023, R. Hoxha ka telefonuar sallën operative të policisë së Fierit, duke njoftuar se mikeshës së saj, S.M, nga qyteti i Patosit po i kërcënohej jeta nga një person i quajtur Arbër Mehmeti. Me të marrë njoftimin Policia ka shkuar për kontroll në vendin “Zogu i Zi” në Fier, duke marrë kontakt me denoncuesen, ndërsa Arbër Mehmeti, është larguar me shpejtësi.
Pasi është marrë në Komisariat, e mitura S.M. ka treguar se është shkëputur nga familja që prej mbrëmjes së Vitit të Ri 2022, pas një debati me njerëzit e saj të afërt, duke udhëtuar në drejtim të Fierit. Me të mbërritur në qytetin e Fierit, ajo ka takuar Arbër Mehmetin, të cilin e kishte njohur në rrjetet sociale. Ajo e ka takuar në Fier dhe në momentin që ai i ka kërkuar telefonin, ajo ia ka dhënë dhe Mehmeti i ka hequr kartën SIM duke ia thyer. Po ashtu, i ka thyer edhe telefonin.
“Pse ma theve telefonin?,”-i ka thënë e mitura Mehmetit, e pikërisht në këtë moment, ai e ka goditur me grushta në kokë duke e kërcënuar qe mos e fliste dhe mos bënte asnjë veprim, duke e kërcënuar edhe me jetë. Më pas, e kishte çuar në një banesë të vjetër, që ndodhet ngjitur me lokalin e tij të quajtur “Cassablanca” në Fier.
Nga momenti i takimit me Arbër Mehmetin dhe deri një ditë para kallëzimit, S.M, është shfrytëzuar për prostitucion nga ky person, ku ka prostituuar me klientë të ndryshëm kundrejt shumave nga 30 mijë lekë deri 200 euro.
Vendet ku vajza ka ushtruar prostitucion kanë qenë dy banesa qytetin e Fierit dhe tek një ambient i brendshëm i lokal “Cassablanca”. S.M, ka deklaruar se të përfshirë në këtë aktivitet kriminal kanë qenë edhe disa persona të tjerë Pranvera Isufaj, Aleksandra Toska, e mitura A.D. dhe një person tjetër me emrin “Marjus”. Sipas saj, edhe në rastet kur klienti ja jepte paratë vetëm S.M., të tjerët ia merrnin. Për sa i përket personave që ishin klientë seksi, S.M, ka deklaruar se nuk i mban mend pasi ishin të ndryshëm dhe nuk i ka fiksuar.
Comments are closed.