Fotografi të shkrepura nga i pari njeri që themeloi studio fotografie në Shqipëri, formojnë mozaikun e ekspozitës “Tenda e takimit e një oborri”. E ditur, fotot e Piettro Marubbit janë bardhezi, por kur kundrohen, ato edhe mund të duken shumëngjyrëshe. Detajet e shumta që nxjerrin, shpjegojnë prej kontekstit, te skenografia, stili i kohës e deri te mjeshtëria e italianit që në gjysmën e dytë të shekullit XIX u vendos në Shkodër. Fija e përbashkët e krejt fotografive të ekspozitës me kurator Luçjan Bedenin është oborri. Ka një arsye për këtë
Marash Uci me t’bijtë e Calit ka dekada që kanë arritur në Prishtinë nëpërmjet mënyrës se si i ka paraqitur Gjergj Fishta në këngën e 12-të të “Lahutës së Malcisë”. Përshkrimi që ua ka bërë atyre njëri prej klerikëve e intelektualëve më të mëdhenj shqiptarë, te lexuesi gjëllin përfytyrimin për këta patriotë. Por imazhi real i treshes i nxjerrë nga negativi i Piettro Marubbit, për më shumë se një muaj do të qëndrojë në Galerinë e Ministrisë së Kulturës në kryeqytet.
Bashkë me 20 fotografi të tjera të shkrepura nga i pari njeri që themeloi studio fotografie në Shqipëri, formojnë mozaikun e ekspozitës “Tenda e takimit e një oborri”. Kjo ekspozitë e hapur nga muzeu kombëtar i fotografisë “Marubi” nga Shkodra, ofron imazhe bardhezi. Por kur fotografitë analizohen, ato edhe mund të duken shumëngjyrëshe. Detajet e shumta që nxjerrin, shpjegojnë prej kontekstit, te skenografia, stili i kohës e deri te mjeshtëria e italianit që në gjysmën e dytë të shekullit XIX u vendos në Shkodër. Fija e përbashkët e krejt fotografive të ekspozitës me kurator Luçjan Bedenin është oborri. Ky fakt përmendet edhe në titull të ekspozitës. Aty zë vend edhe tenda që ishte mjet ndihmës për të realizuar fotografitë.
Imazhet e paraqitura në ekspozitën e hapur të enjten mbrëma e shëtisin vizitorin nëpër portrete që ishin prijës të kohës, qytetarë të thjeshtë me veshje kombëtare e deri te një plak i varfër. Bëhet fjalë vetëm për një copëz historie të arkivit të madh që u la Marubbi shqiptarëve. Aty është perandoria e tij, ajo e artit fotografik shqiptar. Renditja që ua ka bërë fotografive kuratori, njëherësh drejtor i Muzeut, zbërthen se mjeshtri oborrin e kishte kthyer në ambient ku pozonin qytetarët. E mirëmbajtësin e kopshtit, të atin e Mati Kodhelit, e kishte bërë edhe skenograf. Aty vërehen detajet e oborrit.
Kuratori, studiues i veprimtarisë së Marubbit që edhe ka doktoruar me këtë temë, ka thënë se gjatë hulumtimit dhjetëvjeçar ku është marrë me fakte konkrete se përse Marubbi është i pari fotograf në Shqipëri, kanë dalë në pah shumë gjëra të reja, përfshirë edhe konceptin e kësaj ekspozite. Disa prej imazheve ishin përdorur edhe në ekspozitën hapëse të Muzeut në vitin 2016.
“Kësaj here vjen më e zgjeruar dhe teksti kuratorial vjen më i zgjeruar me të dhëna e detaje të tjera. Arsyeja përse unë e përdori termin ‘tendë’ vjen pikërisht prej fotografisë ku shohim një stativ që mban sipër një tendë njësoj si edhe fotografët e ditëve të sotme, në mënyrë që ta kenë dritën natyrale sa më difuze…”, ka thënë Luçjan Bedeni. Sipas tij, krejt kjo bëhej që të krijohet mundësia e fotografimit sa më të pastër të figurës. Duke nxjerrë në pah shkathtësitë e piktorit e arkitektit që u bë fotograf, ai ka treguar se këtë teknikë Marubbi e përdorte qysh në gjysmën e dytë të shekullit XIX.
Bedeni ka sqaruar se personazhet e kësaj ekspozite janë figura të rëndësishme të historisë së Shqipërisë, që atëherë ishte nën Perandorinë Osmane. Bëhet fjalë për njerëz që kishin organizuar kryengritjet e para kundër osmanëve, pastaj janë delegatët e Shkodrës në Lidhjen e Prizrenit, deri te Gani Beg Toptani e diplomatët e huaj.
“Shumë personazhe i gjejmë në librat e historisë sonë. Studioja nuk ishte vetëm për zonjat e zotërinjtë. Marubbi merrte nga rruga edhe njerëz të zakontë dhe i fotografonte”, ka sqaruar Bedeni. Studiuesi i Marubbit ka rrëfyer se negativët hedhin dritë që mjeshtrit i kishin bërë shumë përshtypje veshjet kombëtare. Midis fotografive zë vend edhe gruaja e tij, italiania Marietta Greatti nga Gorizia, që ishte fiks 21 vjet më e vjetër se bashkëshorti. Por fotografitë nuk kanë vetëm rëndësi arkivore për kohën kur u realizuan. Do të nisnin të shpërndaheshin imazhe të shqiptarëve edhe nëpër botë.
“Këto personazhe i gjejmë vite më pas të kthyera në kartolinat e kohës. U shndërruan në karta postare, në kartolina që riprodhohen edhe nga litografë vjenezë. Dhe këto janë gjurmët e para të promovimit të Shqipërisë nëpërmjet imazheve që paraqesin traditën tonë shqiptare”, ka thënë Bedeni.
Të pranishmit kanë “shëtitur” nëpër një pjesë të historisë së fotografisë shqiptare e po ashtu edhe të personazheve të kohës.
Grafisti i njohur, njëherësh profesor universitar, Shyqri Nimani, ka thënë se ekspozita është një rast i jashtëzakonshëm që publiku shqiptar i Kosovës, por edhe të tjerët, të njihen me një veprimtari të cilën shqiptarët e trashëgojnë për gjithë këto vite.
“Këtu e kemi rastin që të shikojmë se si janë dukur shqiptarët para afro dy shekujsh, si i kanë pasur kostumet, si i kanë pasur armatimet, si e kanë pasur antropologjinë, e si pamjen. Do të thotë që ka të dhëna që janë autentike dhe në asnjë mënyrë tjetër nuk kemi mundur t’i përjetojmë, pos me këto fotografi”, ka thënë ai. Sipas Nimanit, ardhja e Marubbit në këto anë ishte një bekim i madh për shqiptarët, pasi italiani që i takon popullit që i ka dhënë botës Leonardo da Vincin, Michelangelon e të tjerë, do të krijonte studio fotografie në Shkodër.
“Dhe Marubbi dinastinë e tij ua ka lënë trashëgimi pasardhësve. Prandaj dëshiroj që të gjitha shkollat, të gjitha institucionet të vijnë ta vizitojnë këtë ekspozitë për arsye se kanë me qenë shumë të kënaqur si rrallë ndonjëherë”, ka thënë ai.
Për fotografin Burim Myftiu, arkivi i Marubbëve është thesar kombëtar të cilin nuk e lakmojnë vetëm fqinjët, por edhe përtej.
“Është shumë me rëndësi që ekspozohen sonte në Prishtinë, sepse edhe ne kemi një traditë fotografike në Kosovë, mirëpo është e paorganizuar, e papërmbledhur dhe ndoshta kjo mund të stimulojë që ne të bëjmë një përmbledhje të fotografive historike që i ka Kosova”, ka thënë ai.
Ekspozita prek skajet e jetës sociale të shqiptarëve të asaj kohe. Prej prijësve që janë të veshur shik e secili më me stil se tjetri e deri te një plak i varfër që do të bëhej edhe “model” i mjeshtrit të imazhit. Krejt këto elemente nxjerrin para publikut karakterin multidimensional të artistit, i cili shumë prej pamjeve të kohës kur jetoi i ktheu në imazhe të tejkohshme.
Comments are closed.