Rastet e vjedhjeve në Shkodër gjatë muajve të fundit sipas raportit të policisë janë shtuar ndjeshëm. Një javë më parë policia e Shkodrës dokumentoi 53 vjedhje në 6 muaj të kryera nga tre adoleshentë të cilët vepronin në zona të qytetit duke vjedhur dyqane, motorcikleta dhe bicikleta.
Ndërkohë rasti i fundit është vjedhja e një banese në fshatin Shtoj i Vjetër e cila ishte e pabanueshme pasi familjarët jetojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Banesa në fjalë i përket shtetasit Kanto Zefaj në shtëpinë e të cilit grabitësit kanë marrë 2 televizora plazëm, 2 frigorifera dhe orendi të tjera shtëpiake. Rastin e ka denoncuar nipi i tij Taulant Kulla i cili thotë se për shkak të problemeve lidhur me profesionin në punë daja i tij është larguar në drejtim të Amerikës.
Autorët kanë harruar një thikë dhe një levë me të cilat dyshohet se kanë kryer vjedhjen duke i përdorur për të hapur derën dhe dritaren.Sendet e lënë nga autorët mundet ti shërbejnë policisë për të arritur në gjurmët e tyre të cilët mund të kenë lënë shenja gishtërinjsh ne vendngjarje.
Comments are closed.