Deputeti demokrat Agron Shehaj ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se po përdor forcat e Policisë së Shtetit për të ushtruar presion ndaj tij. Shehaj ka publikuar një video në rrjetin e tij social ‘Facebook’ dhe krahas saj shkruan se Policia për herë të katërt pa asnjë vendim gjykate ka mësyrë në biznesin e tij dhe ka terrorizuar e nxjerrë me forcë jashtë punëtorët.

Sipas Shehajt, ky është një shantazh politik i Ramës, por ai thotë se nuk do të ndalet së bëri opozitë.

“Për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa asnjë vendim gjykate, policia politike e Edi Ramës ka mësyrë sërish bizneset e mia duke terrorizuar dhe nxjerrë me forcë jashtë punonjësit. Prej disa kohësh, sipërmarrjet e mia janë vënë nën sulmin e paligjshëm të policisë së shtetit, e cila me urdhër direkt të Kryeministrit përdoret si kamzhik kundër kundërshtarëve politikë.

Shikojini pamjet. Kjo është fytyra e regjimit sot. Rama duhet ta ketë të qartë se unë nuk ndalem sepse besoj se kjo është opozita për të cilën ka nevojë vendi. Do të vazhdoj të them të vërtetën dhe të denoncoj çdo aferë ku është përfshirë Kryeministri dhe qeveria si në rastin e kompanisë guackë të inceneratorëve, të Xhaçkës, Gjiknurit apo megaskandalit të Ramës në SHBA”, shkruan Shehaj.

Të njëjtën video e ka ndarë edhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta dhe thotë se policia me urdhër të Ramës po intimidon një zë kurajoz të opozitës.

“Sulmet politike dhe terrori policesk i Edi Ramës kundër bizneseve të ndershme, të identifikuara nga patronazhistët si mbështetëse të opozitës janë një tjetër dëshmi e arbitraritetit dhe paligjshmërisë të bandës së “Rilindjes”. Ndërkohë që shpall ministrat e tij si “investitorë strategjikë” dhe u fal gjobat e taksat e shqiptarëve oligarkëve dhe klientëve të tij, për herë të katërt, pa asnjë urdhër dhe pa vendim gjykate, falangat e Policisë së “Rilindjes” terrorizojnë bizneset e deputetit të PD, Agron Shehaj me qëllim për të intimiduar dhe shantazhuar një zë kurajoz të opozitës.

Duke dënuar me forcë këtë sjellje arbitrare të përsëritur, i bëjmë thirrje Edi Ramës të heqë dorë urgjentisht nga sulmet e paligjshme ndaj bizneseve të ndershme. Të vendosur në betejën për mbrojtjen e interesit qytetar, të bizneseve të ndershme dhe shporrjen me çdo çmim të këtij regjimi mafioz”, shkruan Meta.