Nga Kolindo Vjerdha

Kjo frazë është kthyer në refrenin mbytës të justifikimit pa fre që normalizon çdo anomali që ndodh në këtë vend. Për hir të një normaliteti absurd që dëshiron të minimizojë dinamizmin, preferojmë që të bëjmë pakt me çdo gjë dhe mbi çdo parim mjafton të jemi në ujëra normaliteti. Ky konstatim nuk është krijuar në një ditë e as në një muaj, por është pasqyrimi i një kalvari politik që ka ndryshuar vetëm fasadën në këto 32 vite, duke harruar gjithmonë të ndryshojë themelet. Themele të dobëta, parime të cunguara, demokraci e brishtë.

Etiketimi që do përbashkonte gjithë skenën politike të 32 viteve do ishte nocioni “qeverisje fasadë”. Çdo qeverisje e këtyre viteve është munduar të ndikojë vetëm në krijimin e një përceptimi të ngjashëm me normalen dhe afër perfektes duke dashur të mbulojë me të korrupsionin e çdo hallke të sistemit, rritjen e ndikimit të krimit, pushtetin e veshur me krim dhe krimin në pushtet, gomonet që tronditën botën, të rinjtë që detyrohen të largohen, familjet në skamje, shëndetësinë e prapambetur, infrastrukturën e rrënuar, shërbimin policor të dekonspiruar nga korrupsioni, ministra e deputetë në burg, kryetarë bashkie të kapur nga ligji i dekriminalizimit, pushtetarë autokrat e mbi të gjitha arsimim në kushte ekstreme dhe me mungesë të theksuar rankimimi në nivel ballkanik e aq më pak në nivel evropian. Ky pushtet i piramidalizuar ka arritur të krijojë një trysni mbytëse mbi lirinë e veprimit të qytetarëve. Familjarë që jetojnë për të ardhurat në fund të muajit dhe mbi të cilat ngrihet çdo formë presioni mbi ta.

Si mund t’i kërkoni një individi prej shtresës së mesme të qëndrojë në këtë vend ku çmimet e banesave konkurojnë kryeqytetet e Evropës ndërsa pagat konkurojnë ato të botës së tretë?! Si mund t’i kërkoni një studenti të shkollohet në këtë vend, ku diploma nuk vlen nga qyteti në qytet e jo më jashtë territorit të shtetit?! Si mund t’i kërkoni një polici të qëndrojë në këtë vend ku krimi e vë dhe e heq nga puna?! Si mund t’i kërkoni një mjeku apo një infermieri të qëndrojë në këtë vend ku kushtet në spitale ngjajnë me ato në burgje?!

Jetojmë në vitin 2023 dhe akoma premtohen ujë dhe drita 24 orë. Akoma premtohen të ndërtohen konvikte për studentët, të cilët presin në radhë për të gjetur ujë të ngrohtë në godinat e rrënuara e të trashëguara nga sistemi i kaluar. Akoma nuk njihet koncepti i një mense për studentët. Jetojmë në Shqipërinë ku kullat mbushin sheshet e shqiptarët mbushin gomonet. E ndërsa të gjitha këto ndodhin, politika 32 vjeçare e amplifikuar në dekada me të njëjtët protagonistë vazhdojnë betejën e tyre me mullinjtë e erës duke aktruar në të njëjtën skenë të përsëritur herë në pozitë e herë në opozitë.

Jetojmë në Shqipërinë e absurdit, ku nuk ndërtohen shkolla dhe spitale, por ndërtohen porte dhe aeroporte, ndërtohen resorte dhe kulla. Jetojmë në Shqipërinë ku investitorët e huaj kanë frikë të shkelin, por aktorët e oborrtarët e pushtetit brenda natës kthehen në investitorë strategjikë. Jetojmë në Shqipërinë ku mundësia për të ngelur pa punë prevalon nga ajo për të gjetur një të tillë. Jetojmë në Shqipërinë turistike, ku infrastruktura rrugore lë ende për të dëshiruar, ku fëmija nuk di ç’është trami, hekurudha apo metroja. Jetojmë në Shqipërinë evropiane, ku deri më sot vetëm krimin kemi standartizuar. Jetojmë në Shqipërinë ku të rinjtë trumbetohen si e ardhme, por që lihen si e shkuar, që përdoren pafytyrësisht si fasadë e një sistemi të kalbur.

Ky është realiteti që çdo ditë e shohim dhe çdo ditë e përjetojmë, por zgjdhim të heshtim sepse nuk dimë si ta ndryshojmë. Kjo po e vret shpresën dhe po i kthen shqiptarët kokëulur dhe të nënshtruar si 32 vite më parë. Zgjedhin të largohen në heshtje duke i thënë jo përballjes me të gjithë sistemin. Problemi nuk është aq i lehtë. Për të ndryshuar Shqipërinë duhet të ndryshojmë sistemin qeverisës, të vendosim barriera të tjera kontrolluese të pushtetit, barriera që do frenojnë arrogancën e pushtetarit dhe që do ndëshkojnë fajtorin. Të ndryshojmë për të ndihmuar e zhvilluar prodhimin vendas, për të rritur cilësinë në shërbime, në arsim dhe mbi të gjitha në kulturën qeverisëse.

Një frymë e re pa figura përsëritëse, por me dëshirë të mirë për këtë vend mund të lëvizë ujërat e ndenjura të kënetës që po jetojmë. Mbi të gjitha ftoj të rinjtë të kthehen në aktorë. Shqipëria ka nevojë për energji rinore.