Gazetari Artan Hoxha ka folur për skandalin që ka kapluar Ekuadorin së fundmi, ku presidenti i vendit, Guillermo Alberto Santiago Lasso Mendoza, akuzohet se ka lidhje me kartelet shqiptare. I ftuar në “Të paeskpozuarit”, Hoxha tha se Lasso ka qenë drejtor banke dhe aksioner gjithashtu në banka, ndaj akuzohet se ka ndihmuar shqiptarët në pastrimin e parave, derdhjen në banka të të ardhurave nga trafiku i kokainës dhe legjitimimi i bizneseve nga persona të dyshimtë. Hoxha tha gjithashtu se shqiptarët nuk janë më në një nivel ordiner të trafikut të kokainës, por janë ngjitur shumë lart.

“Atje ka shpërthyer një skandal. Mediat e akuzojnë presidentin Lasso, është i djathtë, e djathta atje ka fituar për herë të parë, pas 24 vitesh. Ai banon në një lagje luksoze me shqiptarët, ai duke qenë drejtor banke, aksioner në një bankë, sigurisht që kishte lidhje me shqiptarët. Unë kam pasur fatin të hipi në makinën e tij të blinduar private. Akuza që i bëhet është se janë korruptuar nga mafia shqiptare, janë ndihmuar për të mbuluar pagesat e mëdha nga kokaina. Para emisionit, po flisja me drejtorin e Antidsrogës atje, e dini çfarë ndodh atje? Ne kemi filluar të njihemi. Tani me vrasjet që ndodhën, me ngjarjet e fundit, aktualisht shqiptarët po akuzohen se kanë korruptuar autoritetet vendase. Dritan Gjika është biznesmen atje, është me dokumenta ekuadoriane. Dia raste të kompanive që ka bashkëpunuar ai, janë kapur me kokainë në Shqipëri, se nuk dolën nga hiçi. Por nuk është arrestuar. Niveli ku kanë arritur shqiptarët, nuk është më pjesa ordinere që po bëjnë trafik,”- tha Hoxha.

Këtë të hënë, një raport i inteligjencës ekuadoriane, i publikuar nga La Posta, zbuloi lidhjet e presidentit ekuadorian me mafien shqiptare dhe trafikun e drogës, një situatë që, sipas disa analistëve, mund të sjellë fundin e mandatit të tij në Ekuador. Sipas raportit, shqiptarët kanë ndikuar në emërimin e ministrave në vend. Aktualisht, zëra të ndryshëm kërkojnë dorëheqjen e Presidentit Lasso, shkarkimin, tërheqjen apo ‘kryqëzimin’ e tij publikisht për t’i dhënë fund mandatit të tij dhe për hapur rrugën drejt zgjedhjeve të reja.