Një 37 vjeçar është vënë nën hetim pasi tentoi të kalonte 20 mijë euro të padeklaruara në pikën kufitare të Muriqanit. Gjatë kontrollit, policia konstatoi një hapësirë të modifikuar në makinën e shtetasit E.M, me qëllim fshehjen e eurove. 20 mijë eurot u sekuestruan nën cilësinë e provës materiale.

Njoftimi i plotë:

Tentoi të kalonte në PKK Muriqan, 20 000 euro të padeklaruara të cilat i kishte fshehur në automjetin që drejtonte, procedohet penalisht 37-vjeçari dhe i sekuestrohet shuma e parave.

Shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Muriqan, si rezultat i kontrolleve të shtuara, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare, si dhe bazuar në analizën e riskut, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll të imtësishëm, automjetin me drejtues shtetasin E. M.

Nga kontrolli, shërbimet e Policisë konstatuan një hapësirë të modifikuar, me qëllim fshehjen e shumës 20 000 euro të cilat ky shtetas tentoi t’i kalonte në PKK Muriqan, pa i deklaruar sipas përcaktimeve ligjore në fuqi.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin E. M., 37 vjeç, banues në Kamëz. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma 20 000 euro.