Besoj se secili prej jush që ka kaluar këto ditë në qendër të qytetit, e ka vënë re që te Pallati Kinez po punohet. Me kërkesë të Bashkisë Shkodër, me financim 100% nga buxheti i shtetit përmes Fondi Shqiptar i Zhvillimit/ Albanian Development Fund, në këtë pallat po ndërhyhet në fasadë me synim përmirësimin e efiçencës termike, veshjen me kapotë, si dhe suvatim e lyerje.

Sot pata mundësinë që të bëja një vizitë të shkurtër për të parë nga afër punimet, i shoqëruar nga drejtuesi i zyrës së zhvillimit rajonal të FSHZH-së dhe stafi teknik. Ishte kënaqësi të takoja gjithashtu edhe banorë të këtij pallati.
Në familjet e Xhixha Lisajt, Midush Shabajt dhe Flamur Haxhisë biseda është e sinqertë dhe e drejtpërdrejtë. Të gjithë më thonë se e kanë mirëpritur këtë investim, i cili jo thjesht do të përmirësojë aspektin viziv të fasadës, por që çka është më e rëndësishme do të bëjë që banesat t’i ruajnë më mirë temperaturat.

Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në uljen e pagesës për energjinë elektrike apo lëndëve të tjera për ngrohje. Si kudo tjetër në Europë efiçenca e energjisë është një fushë e rëndësishme sidomos në këtë kohë krize të çmimeve të energjisë. Ky program i qeverisë shqiptare po financon punime të tilla nëpër disa bashki të vendit përfshirë dhe Shkodrën. Kam diskutuar mundësinë që këtë nismë të dobishme ta mbështesim dhe në blloqe të tjera pallatesh në qytet dhe jam i sigurt që do ta realizojmë shumë shpejt. #shkodrapozitive