Me lançimin e risive në kualifikimin e mësuesve të kategorisë së parë, Ministria e Arsimit është gati të nisë procedurën e përvitshme, falë së cilës mësuesit rriten profesionalisht e financiarisht.

Përmes një shkrese të firmosur pak ditë më parë, MAS urdhëron zyrat arsimore të nisin punën për mbledhjen e dokumenteve të arsimtarëve që kanë plotësuar vitet e duhura për t’iu nënshtruar provimit të kualifikimit. Për kategoritë e dytë dhe të tretë testi do të mbahet në 29 prill, ndërsa për kategorinë e parë është paracaktuar një interval kohe 3-28 prill për zhvillimin e orës model. Në maj, gjithçka do të jetë e përmbyllur bashkë me rezultatet me qëllim që në muajin korrik, si çdo vit tjetër, të nisë aplikimi i shtesës mbi pagë për të gjithë mësuesit që rezultojnë fitues në provim.

Brenda kësaj jave, drejtoritë rajonale të arsimit parauniversuitar gjithashtu edhe ASCAP (Agjencia për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin Parauniversitar) duhet të kenë publikuar në faqet e tyre zyrtare programet orientuese, mbi të cilat do të bazohet provimi për kualifikim. Ajo çfarë duhet të bëjnë si fillim kandidatët është plotësimi i një kërkese për të qenë pjesë e provimit, si dhe mbledhja e dokumenteve të portofolit profesional sipas profilit përkatës për të t’i dorëzuar në zyrën arsimore brenda këtij muaji.

Zyrave arsimore do t’u duhen së paku dy javë për të bërë vlerësimin e dosjeve të secilit, çka i hap rrugë hartimit të listave të kandidatëve që do të testohen. Secili prej tyre duhet të ketë akses në listë, duke parë të dhënat bashkë me vlerësimin e marrë për të korrigjuar gabime në rast se do të ketë dhe më pas për t’i dorëzuar në drejtorinë e përgjithshme. Kjo e fundit në koordinim me ASCAP do të organizojë dhe administrojë gjithë procesin për mësuesit e kategorisë së dytë dhe të tretë.

“Provimi me shkrim për mësuesit e kategorisë II dhe III të kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2022-2023 do të zhvillohet në datën 29.04.2023, ora 10:00-12:30 në Tiranë në mjedise të planifikuara nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar”, nënvizohet në udhëzimin me procedurat e detajuara, drejtuar zyrave arsimore. Sa u përket mësuesve që kërkojnë shkallën e parë të kualifikimit, “mësues mjeshtër”, procedura ndryshon sivjet për herë të parë.

Zyrat vendore arsimore do të jenë të angazhuara dhe do të japin vlerësimin për ta, bazuar jo në një testim, por orë mësimore model. “ZVA në bashkëpunim me drejtuesit e rrjeteve profesionale harton kalendarin e zhvillimit të orëve mësimore të hapura për mësuesit e kategorisë së parë të kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor parauniversitar për vitin shkollor 2022-2023 në periudhën 3 prill – 28 prill 2023 dhe e miraton atë për të gjithë kandidatët”, përcaktohet në dokument. Ndonëse “testimi” i tyre sipas orës model zhvillohet më përpara mësuesve me përvojë 5 dhe 10- vjeçare, rezultati për mësuesit me përvojë mbi 20 vjet do të merret një javë më vonë. Rezultatet e testimit do të merren brenda datës 5 maj, ndërsa ato të orës mësimore brenda 11 majit./Marre nga Panorama