artia Demokratike ka vendosur që më 3 Mars të zhvillojë një tjetër protestë kombëtare, si ajo e të shtunës së kaluar në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, para Kryeministrisë. Po ashtu, mësohet se protestat para Parlamentit do të vijojnë sa herë që të ketë seancë plenare. Protesta pritet të zhvillohet në të njëjtën ditë që Gjykata e Apelit do të shqyrtojë çështjen për të drejtën e vulës dhe logos së Partisë Demokratike.

Protesta e djeshme para Kuvendit, zgjati më pak se 2 orë. E shoqëruar me tensione, ajo bëri pjesë të saj demokratë, deputetët e PD-së dhe kryetarin e Partisë së Lirisë, Ilir Metën. Kryeministri Rama nuk ishte i pranishëm në seancën e djeshme plenare. Deputetët e opozitës morën fjalën njëri pas tjetrit në tubimin, që vazhdoi qetësisht, përveç disa fishekzjarrëve që u hodhën në fillim të protestës në drejtim të policisë. Protestuesit u përpoqën të çanin rreshtimin e ngjeshur të policisë në hyrje të Kuvendit, dhe më pas hodhën drejt tyre flakadanë, shashka dhe fishekzjarrë.

Brenda në seancë plenare të Kuvendit deputetët opozitarë akuzuan kryeministrin Rama për çështjen McGonigal. Deputetët e opozitës bllokuan foltoren ndërsa Berisha mori fjalën disa herë teksa ndërpritej nga Nikolla. Deputetët u frynë bilbilave dhe goditnin tavolinat me duar në shenjë proteste, duke kërkuar që çështja McGonigal të bëhet temë kryesore e diskutimeve në Kuvend.