Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor për zgjedhjet e 14 Majit.

KZAZ do të përbëhen me 7 anëtarë ku dy i takojnë 2 PS+1 PSD, 2 PD+1 LSI/PL, si dhe 1 anëtar i ndarë në 50% të tyre nga secila palë, PS ose PD.

Mirëpo, për shkak të situatës në Partinë Demokratike ku kemi dy grupe, Ekspertët e Institutit të Studimeve Politike, bëjnë me dije se procedurat dhe njoftimi i KQZ për ngritjen e KZAZ-ve kanë mospërputhshmëri dhe një devijim nga standardet e mira zgjedhore, pasi KZAZ nuk janë të plota sepsenë KQZ janë depozituar dy lista nga partia opozitare më e madhe, një nga grupi i Enkelejd Alibeajt dhe një nga ish-kryeministri Sali Berisha.

Kjo situatë ka sjellë dhe mos respektimin e Kodit Zgjedhor nga ana e KQZ, pasi legjimitoi mbledhjen e KZAZ me 30-40% më pak anëtarë sesa përcakton ligji. Për pasojë, KZAZ nuk do të mund të zgjedhin kryetarin dhe zv/kryetarin, për shkak të mungesës së emrave nga partia kryesore e opozitës.

Njoftimi i plotë:

Bazuar në nenin 28 të Kodit Zgjedhor (afati 90 ditë para datës së zgjedhjeve) dhe nenit 29 (Përbërja e KZAZ-së), KQZ vendosi ngritjen e Komisioneve të Zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ). Sipas ligjit, nga 61 bashkitë ku do të zhvillohen zgjedhjet, në 50 prej tyre KZAZ-të do të administrojnë procese të rëndësishme si regjistrimi i kandidatëve për kryetar bashkie dhe këshilla bashkiak, akreditimi i vëzhguesve të subjekteve zgjedhore, shpalljes së kandidatit fitues për kryetar bashkie, e të tjerë.

KQZ njoftoi se mbledhjet e para të KZAZ-ve do të fillojnë nga data 13 Shkurt 2023. KZAZ përbëhen nga 7 anëtarë (2 PS+1 PSD, 2 PD+1 LSI/PL, si dhe 1 anëtar i ndarë në 50% të tyre nga secila palë, PS ose PD). Kryetari dhe zëvendëskryetari i KZAZ-së zgjidhen nga KQZ-ja, me propozim të KZAZ-së, sipas formulës proporcionale, njëri nga PS dhe tjetri nga PD.

Ekspertët e Institutit të Studimeve Politike (ISP) vlerësojnë se baza ligjore, procedura vendimmarrëse dhe njoftimi i KQZ për ngritjen e KZAZ-ve kanë mospërputhshmëri dhe një devijim nga standardet e mira zgjedhore: KZAZ nuk janë të plota, pasi KQZ pranoi vetëm listën e propozimeve nga PS, PL/LSI dhe PSD. Lista e PD është në pritje, pasi në KQZ janë depozituar dy lista, një nga PD1 (Alibeaj) dhe një nga PD2 (Berisha). Konflikti i këtyre të fundit është politik dhe administrativ, por KQZ është institucion i pavarur dhe duhet të shmangë përfshirjen direkt/indirekt në konfliktin e tyre politik, si dhe njëherësh të respektojë Kodin Zgjedhor. KQZ e shmangi ndërhyrjen në konflikt, por nuk e respektoi Kodin Zgjedhor. Ai legjitimoi mbledhjen e KZAZ me 30-40% më pak anëtarë sesa përcakton ligji. Për pasojë, KZAZ nuk do të mund të zgjedhin kryetarin dhe zv/kryetarin, për shkak të mungesës së emrave nga partia kryesore e opozitës. Vendimi gjyqësor mbi konfliktin në PD, në rastin më të mirë mund të pritet pas datës 3 mars 2023, ndërkohë që administrimi zgjedhor duhet të jetë funksional prej datës 13 shkurt 2023.

ISP apelon të gjithë aktorët politikë dhe institucionalë të respektojnë ligjin dhe detyrimet e Kodit Zgjedhor. Zgjedhjet nuk janë për partitë dhe as KQZ, zgjedhjet janë për qytetarët dhe vendin. Ato meritojnë respekt, integritet, besueshmëri, paanësi dhe standarde më të larta.