Mijëra njerëz kanë ofruar të adoptojnë vajzën e cila lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur në veri-perëndim të Sirisë, pas tërmetit të së hënës. Bëhet fjalë për vogëlushen Aya e cila kur u shpëtua ishte akoma e lidhur me nënën e saj me kordonin e kërthizës dhe tani ndodhet në spital, në gjendje stabël. Nëna, babai dhe të katër vëllezërit e motrat e saj vdiqën pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris.

“Ajo mbërriti të hënën në një gjendje kaq të keqe, kishte gunga, mavijosje, ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë”: , tha Hani Marouf, pediatri që kujdeset për të.

Khalil al-Suwadi, një i afërm i largët, i cili ishte atje kur ajo u tërhoq në siguri, e solli të porsalindurin te Dr Marouf në qytetin sirian Afrin. Mijëra njerëz në mediat sociale kanë kërkuar tani detaje për ta adoptuar atë.

“Do të doja ta birësoja dhe t’i jepja një jetë të denjë”, tha një person.

Një prezantuese televizive kuvajtiane tha: “Unë jam gati të kujdesem dhe të birësoj këtë fëmijë… nëse procedurat ligjore më lejojnë.”

Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, thotë se ka marrë dhjetëra telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan të birësojnë fëmijën Aya.

Dr Attiah, e cila ka një vajzë vetëm katër muaj më të madhe se ajo, tha: “Unë nuk do të lejoj askënd ta birësojë atë tani. Derisa të kthehet familja e saj e largët, unë po e trajtoj atë si një nga të miat.”

Për momentin, gruaja e tij po e ushqen me gji së bashku me vajzën e tyre.

Në qytetin e lindjes së Aya-s, Jidayris, njerëzit kanë kërkuar nëpër ndërtesat e shembura për të dashurit.
Në Siri, më shumë se 3,000 të vdekur janë raportuar pas tërmetit.
Kjo shifër nuk përfshin ata që kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga opozita të vendit.