Ditën e shtunë do të zhvillohet protesta e thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha. Partia Demokratike ka njoftuar Policinë e Tiranës për tubimin që do të mbahet në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Në kërkesën e dërguar drejtorit Tonin Voci, nga sekretari organizativ Ervin Minarolli shkruhet se pritet që të marrin pjesë nga 80 mijë deri në 100 mijë persona. Protesta do të nisë në orën 12:00 dhe në kërkesë vihet re se nuk ka një orë për përfundimin e saj.
Protestuesit fillimisht do të mblidhen tek selia e Partisë Demokratike, në sheshi ‘Skëndërbej’ dhe atë Nënë Tereza dhe më pas do të zhvendosen para kryeministrisë.
Kjo protestë u njoftua nga Berisha pasi në akt-akuzën amerikane për agjentin e FBI, Charles McGonigal përmendej se ai ka zhvilluar takim me kryeministrin Edi Rama. Opozita e ka akuzuar kryeministrin Rama se ka paguar McGonigal për të shkatërruar PD, por nga ana tjetër kreu i qeverisë thotë se ka zhvilluar takim me agjentin në cilësinë e zyrtarit të FBI dhe se nuk ka asnjë lidhje me hetimin në SHBA.
Ish-agjenti i lartë i FBI-së Charles McGonigal po përballet me dy akuza në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një në Nju Jork dhe një në Uashington D.C., ku në rastin e parë akuzohet se ka ndihmuar Oleg Deripaska, një oligark rus nën sanksione, me qëllim që të hiqet nga lista e biznesmenëve të sanksionuar nga qeveria e Shteteve të Bashkuara. Akuza tjetër lidhet me 2 shqiptarë, pasi zyrtari i lartë i FBI, po hetohet për marrjen 225 mijë dollarëve nga shqiptaro-amerikani Agron Neza, ish agjent shqiptar i inteligjencës, dhe mosdeklarim të tij, për të cilin ky i fundit pretendon se ia ka dhënë borxh.
Comments are closed.