Dy të rinjtë, Bledar Ukshini dhe Ardit Qamluku që u arrestuan nga Policia e Vlorës paraditen e së mërkurës teksa po shisnin mina me telekomandë, dyshohet se janë pjesë e një grupi kriminal me bazë në Tiranë. Sipas të dhënave nga “TvKlan”, mësohet se grupi hetimor ka zbuluar se dy të rinjtë nga Puka, i morën minat në Tiranë, e më pas po udhëtonin në Vlorë, atje ku do i shisnin tek një tjetër grup kriminal. Këto mina do i shisnin për vlerën e 10 mijë eurove.

Vendi ku do kryhej shkëmbimi fillimisht ishte lënë në qendër të Vlorës, por dyshimi se do të pikaseshin nga Policia detyroi Bledar Ukshinin dhe Ardit Qamlukun të ndryshojnë zonën e takimit. Edhe pse tentuan që të ishin të kujdesshëm, të rinjtë nuk i shpëtuan dot arrestimit, por u prangosën në një bar kafe teksa prisnin të mbërrinte blerësi.

Edhe pse ndërhynë para se ai të shkonte në lokal për të marrë minat, sërish është arritur që të identifikohet nga Policia dhe është shpallur në kërkim. Atë ditë ishte dërguar me porosi për të marrë “pakon”, pasi dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal që vepron në qytetin e Vlorës. Edhe pse në pranga, dy të arrestuarit kanë refuzuar të japin shpjegime se ku e kishin marrë dhe kujt do t’ja jepnin minat. E mbi të gjitha për çfarë. Megjithatë dyshohet se edhe në të shkuarën kanë bërë të njëjtën “tregëti”.