Qytetarët e Lombardisë, rajoni më i madh dhe ekonomikisht më i zhvilluar i Italisë, do të votojnë në datat 12 dhe 13 Shkurt 2023 për të zgjedhur Parlamentin dhe Presidentin e ri të Rajonit të tyre. Mes kandidatëve për Këshillin (parlamentin) Rajonal të Lombardisë spikat emri i Vasenka Rangu Lekës, eksperte e njohur ligjore në vendin fqinj.

E lindur në Shkodër në një familje me tradita, mbesë e kardinalit të parë shqiptar Mikel Koliqi, znj. Rangu është transferuar në moshë të re në Itali ku ka kryer studimet për drejtësi në Universitetin e Bergamos, duke u specializuar në fushën e të drejtës së emigracionit.

Aktualisht drejtuese e një studjoje ligjore mjaft të njohur e të afirmuar në Milano, ajo ka bashkëpunuar ndër vite me institucione të rëndësishme publike e private në Itali si organizata e madhe ACLI, Bashkia e Milanos, Fondazione Verga, Banka Europjane për Zhvillim, etj.

Vasenka Rangu Leka është gjithashtu themeluese dhe drejtuese e Qendrës Shqiptare në Itali, një prej organizatave me aktive të diasporës shqiptare në nivel europjan. Ajo ka marrë pjesë ndër vite në organizimin e qindra veprimtarive dhe projekteve në fushën e diplomacisë publike, me qëllim promovimin e Shqipërisë dhe përhapjen e kulturës shqiptare në Itali.