Blerja e një apartamenti sa vjen e po bëhet më e shtrenjtë për një familje shqiptare, në raport me të ardhurat, sidomos në kryeqytet.
Për vitin 2023, Shqipëria renditet e treta në Europë pas Rusisë dhe Serbisë për çmimet më të shtrenjta të apartamenteve në raport me të ardhurat, sipas të dhënave të Numbeo-s, njësia më e madhe globale e të dhënave.
Indeksi për përballueshmërinë e bjerrjes së një apartamenti që matet nga raporti i çmimit mesatar të shitjes së shtëpive dhe të ardhurave mesatare të disponueshme të familjeve, e shprehur si vite të ardhurave, për Shqipërinë është 15,7, nga 14.1 që ishte një vit më parë.
Kjo nënkupton që një familje shqiptare i duhen rreth 16 vite të ardhura për të blerë një apartament.
Indeksi merr për bazë të ardhurat neto të disponueshme të një familje, çmimin mesatar të një metri katror të qendrës dhe periferisë, si dhe koston e një kredie për 20 vjet.
Sa më i ulët të jetë ky raport, aq më të lehtë e kanë familjet për të blerë një shtëpi.
Për Rusinë që vlerësohet si shteti më i shtrenjtë për çmimet e apartamenteve, një familje i duhen 16,3 vite të ardhura, ndërsa Serbia që klasifikohet e dyta një familje i duhen 15,9 vite.
Në raport me vendet e rajonit shteti më i lirë renditet Mali i Zi.
Indeksi i përballueshmërisë për blerjen e një apartamenti në këtë shtet është 13,1, ndërsa në Maqedoninë e Veriut është 13,2 dhe në Kosovë është rritur duke arritur në 14,1 vite.
Për 2022 sipas të dhënave të Numbeo-s shteti me çmimet më të shtrenjta të apartamenteve ishte klasifikuar Bjellorusia e ndjekur nga Serbia dhe Mali i zi.
Shqipëria renditej e 5-ta pas Rusisë me 14,1 vite u është dashur shqiptarëve për blerjen e një apartamenti.
Në raport me rajonin indeksi i përballueshmërisë për blerjen e një apartamenti në Shqipëri ishte më lart se Kosova që në 2022 ishte 10,9 dhe në Maqedoninë e Veriut 12,5 vite. Ndërsa Serbia dhe Mali i Zi u pozicionuan ndër 3 vendet më çmimet më të shtrenjta.
Çmimet e apartamenteve në kryeqytet për vitin 2022 sipas agjencive imobiliare në vijën e verdhë të ndërtimit u shitën mbi 1,000 euro për metër katror.
Sa u rritën çmimet në Tiranë?
Sipas Numbeo, të matura sipas fuqisë blerëse, një apartament në Tiranë është më i shtrenjtë se Mynihu i Gjermanisë, Roma e Italisë, Londrës në Mbretërinë e Bashkuar etj.
Çmimet në disa zona të kryeqytetit pësuan rritje të fortë, siç është zona e ish -Bllokut ku çmimet maksimale të apartamenteve arritën 3500 deri 5,000 euro për metër katror.
Në zonë Komunës së Parisit çmimet maksimale arritën 2,300 euro nga 1,700 -1,800 euro që ishin më parë.
Rritje të çmimeve pati edhe në zonat perifikerike si ish Kinostudio ku çmimet e apartamenteve nga 900 euro arritën në 1,100 euro apo në Astir ku çmimi maksimal arriti 900 euro.
Fresku mbetet zona më e lirë me çmim maksimal të apartamenteve 700 euro për metër katror.
Rritje të çmimeve pati edhe te disa nga objektet e kullave që po ndërtohen në kryeqytet. Çmimet e apartamenteve të banimit “Book Building”, që ka filluar të ndërtohet pas Sahatit vjet ishin 5,000 euro për metër katror.
“Rainboë Center” godinë me 7 kate (nga të cilat dy kate janë qendra tregtare) në zonën e ish Bllokut nga i njëjti investitor i shiti apartamentet me 5,000 euro për metër katror.
Tashmë në këtë ndërtim nuk gjenden më apartamente të lira për shitje sipas përfaqësuesve të zyrës së shitjes.
Edhe ndërtimi në zhvillim në truallin e ish vilës Ferdinant i shiti vjet në gropë apartamentet me çmim 3,500 euro për metër katror.
Ndërtues dhe drejtues të agjencive imobiliare parashikojnë që çmimet e apartamenteve për 2023 të vijojnë të mbeten në nivele të larta.
Ndërtuesit pohuan se niveli i lartë erdhi nga shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit dhe kërkesës së lartë.
Por miratimi i mundshëm i ligjit të amnistisë fiskale pritet të nxisë edhe më tepër rritjen e kërkesës për pronat e shtrenjta. Ekspertët e tregut pohojnë se në këtë situatë ndërtuesit nuk do të hezitojnë të rrisin çmimet
Comments are closed.