Shkëlzen Berisha, djali i ish kryeministrit Sali Berisha, duket se është përballë padisë së re, nga drejtësia. Ndërsa SPAK vendosi dërgimin për gjykim të Fatmir Mediut, në atë kohë Ministër i Mbrojtjes, Prokuroria e Posacme njoftoi se ka ndarë çështjen lidhur me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake.

“Gjatë hetimeve të këtij proçedimi penal janë kryer gjithashtu veprime të mëtejshme në lidhje me proçedurën e shitjes së municioneve luftarake nga Ministria e Mbrojtjes dhe ndërmarrja “MEICO” ndaj shoqërive të huaja “Evdin” ltd, me seli në Qipro dhe “AEY”, me seli në Florida.

Lidhur me këtë episod, hetimet paraprake nuk kanë përfunduar dhe është vendosur ndarja e çështjes penale, duke u rregjistruar proçedimi penal nr.279/1 viti 2023, për veprat penale “Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërore apo i të zgjedhurve vendore” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuara nga nenet 260 dhe 287 të Kodit Penal.” thuhet në njoftimin e SPAK.

Me rihapjen e hetimeve, në SPAK u thirr pak ditë më parë edhe Shkëlzen Berisha, më i përmendur në skandalin ndërkombëtar të demontimit te fishekeve. Ai u mor në pyetje nga prokurorët e posaçëm lidhur me këtë çështje. SPAK-u rihapi çështjen e Gërdecit 9 muaj më parë duke u vënë në lëvizje, pas kërkesës së prindërve të 7 vjeçarit Erison Durdaj, një prej viktimave të shpërthimit.