Një shofer autobusi i një linje transporti ndërkombëtar është vënë nën hetim në gjendje të lirë pasi kishte fshehur 48.100 euro në çantë. 35-vjeçari Rando Aliu u kap në pikën kufitare të Muriqanit me shumën e madhe të parave që e kishte fshehur në autobusin që drejtonte.
Shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, në kuadër të planit të masave të hartuar nga DVKM Shkodër, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, në dalje të Republikës së Shqipërisë, kanë ndaluar për kontroll të detajuar autobusin e një linje transporti ndërkombëtar, me drejtues Rando Aliun.
Gjatë kontrollit, shërbimet e Policisë Kufitare kanë gjetur 48 100 euro, të cilat drejtuesi i automjetit, shtetasi Rando Aliu, i kishte fshehur në një çantë, me qëllim që të mos i deklaronte sipas përcaktimeve ligjore. Shuma e parave u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Shkodër referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për Rando Aliun, 35 vjeç, banues në Shijak, për veprat penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose i sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.
Comments are closed.