Një ish-pastruese është vënë në pranga ditën e sotme në Tiranë pasi akuzohet se ka vjedhur shtëpinë ku ishte e punësuar. Mësohet se ish-pastruesja me emrin Elida Kodra ka vjedhur në banesë 2 mijë euro, 300 dollarë si dhe 35 lekë të rinj. Ndërkohë që nga arrestimi asaj u sekuestruan 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj.

Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2, operacioni policor i koduar “Gracka”. Vodhi shuma parash në një banesë, vihet në pranga ish-punonjësja e mirëmbajtjes së kësaj banese. Sekuestrohen 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, bazuar dhe në provat e siguruara gjatë një pune të mirëfilltë hetimore për vjedhjen e disa shumave parash, në një banesë në rrugën “Vaso Pasha”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Gracka”.

Si rezultat i këtij operacioni u bë ndalimi i shtetases E. K., banuese në Tiranë. Nga provat e siguruara gjatë hetimit ka rezultuar se shtetasja E. K., e cila ka qenë e punësuar për mirëmbajtjen e banesës së shtetasit Z. E., në rrugën “Vaso Pasha”, gjatë javës së fundit ka vjedhur në këtë banesë, 2000 euro, 300 dollarë dhe 35 000 lekë të rinj. Gjatë kontrollit të çantës së shtetases E. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale, 840 euro, 600 dollarë dhe 40 900 lekë të rinj. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.