Detaje të reja nga dëshmia e pastrueses Rozeta Dobi që zbuloi skandalin me ish-zyrtaren e kryeministrisë Alda Klosi kanë dalë. Mësohet se Rozeta ka vendosur të bashkëpunoj me drejtësinë dhe ka zbuluar të gjithë rrjedhën e punës së saj të banesat e Klosit. Ajo ka treguar gjithashtu të gjitha momentet kur ka rregulluar shumat e parave cash që kishte Klosi nëpër shtëpitë e saj.

“Kam vendosur të bashkëpunoj. Në vitin 2018 kam nisur punë si pastruese në shtëpinë e Alda Klosit kur ajo punonte si drejtoreshë koncensionesh në Ministrinë e Financave, banonte tek Mozaiku i Tiranës. Fillimisht në një moment kur vajta në shtëpinë e saj gjeta mbi krevat të mbuluara me batanije para në lekë dhe në euro. I mora dhe i sistemova në një sirtar në dhomën e saj dhe më pas e telefonova për ti konfirmuar Aldës ku i kisha vendosur paratë.

Kam lëvizur dhe në shtëpitë e tjera të saj dhe kam parë që gjatë gjthë kohës lëviznin shuma të mëdha parash. Alda Klosi ka dhe disa banesa të tjera, një të ndërtuar në truallin e prindërve të saj, një që e kishte prenotuar te Kodra e Diellit dhe një në Kombinat. Tek këto banesa nuk kam shkuar por i di se kam punuar gjatë. Në dhjetor 2022 Alda Klosi më kërkoi që t’i merrja paratë dhe t’i ruaja për shkak të problemeve që kishte me bashkëshortin”, ka deklaruar Rozeta Dobi

Ditën kur ndodhi grabitja në banesën e saj ajo deklaroi në polici se i mungonte vetëm i mungonte një sasi parash që nevojiteshin për shpenzime dhe mbarëvajtjen jetike të përditshme. Dhe vetëm 3 javë më pas, në 7 Janar, kur u arrestua Rozeta Dobi, ajo befas njoftoi se kishte konstatuar se i mungonin mbi 120 mijë euro dhe 30 mijë dollar që sipas saj I kishte marrë nga xhaxhai i saj, për t’u kujdesur për shtëpinë dhe djalin e tij, ndërkohë që ai ishte për kurim në SHBA.

Xhaxhai i Klosit, një dentist i njohur në kryeqytet, ndërroi jetë pak kohë më pas në Shtetet e Bashkuara. Ngjarja mori përmasa dhe më të mëdha, kur një kontroll i dytë në banesën e Rozeta Dobit, e cila prej vitesh punonte si pastruese në shtëpitë e personave të ndryshëm, zbuloi dhe 404 mijë euro të tjera, të cila dyshohet që po ashtu të jenë të vjedhura. Deri më tani, nuk rezulton që të ketë patur denoncime nga persona të tjerë, për zhdukjen e këtyre parave.