Detaje të reja kanë dalë ditën e sotme nga arrestimi i ish-zyrtares Alda Klosi. Mësohet se Klosi u arrestua mbrëmjen e djeshme pas një dëshmie të pastrueses Rozata Dobi. Gjatë dëshmisë së saj Dobi është shprehur se gjatë kohës që punonte si pastruese ka parë shumë para në atë banesë.
“Paratë vinin që nga viti 2021. Unë nuk kam dijeni kush i sillte, por paratë vinin në çantë. Në dhjetor 2022 Alda ngaqë kishte konflikte me burrin më kërkoi t’i ruaja. Ditën që i mora me çantë i mora nga kasafortë, pasi Alda nuk ishte në shtëpi. Më tha ajo vetë merri në kasafortë. Ngjarjen e vjedhjes e inskenova pasi ajo donte të ngarkonte me përgjegjësi burrin,” tha ajo.
Çështja e Rozeta Dobit dhe Alda Klosit ka marrë një vëmendje të shtuar nga drejtësia shqiptare për shkak të shumës rekord që pastruesja ia doli të vidhte në banesën e zyrtares, një vlerë që e kalon atë të 500 mijë eurove, burimi i të cilave nuk dihet. Këto para edhe pse kanë kaluar 2 javë që prej zbulimit të vjedhjes, nuk dihet se ku i ka gjetur Alda Klosi. Ajo po hetohet gjithashtu nga prokuroria. Vjedhja e shtëpisë së Klosit ndodhi më 15 dhjetor dhe u pikas nga vajza e ish-zyrtares, pasi Rozeta Dobi dhe djali i saj Havieri kishin hapur derën me forcë dhe e kishin inskenuar si grabitje. Por, kamerat e sigurisë zbuluan gjithçka. Tashmë nënë e bir janë në pranga. Ata kanë pranuar autorësinë e ngjarjes, por misteri lidhet me pronarin e parave. Kjo pasi në ditën e arrestimit, policia gjeti në banesën e Rozetës dhe Havierit një sasi prej gati 120 milionë lekë të vjetra, para dhe stoli floriri.
Kjo shumë sipas Alda Klosit bashkë me florinjtë i përket asaj. Por të nesërmen pas arrestimit, falë një përgjimi ambiental policia gjeti të fshehura në tubin e aspirimit të shtëpisë së pastrueses edhe 400 mijë euro të tjera. Këto para janë pa pronar sot, pasi Alda Klosi mohon që të jenë vjedhur në banesën e saj. Pastruesja nga ana tjetër pohon se edhe këto para i ka marrë te Klosi. Për këtë shumë nuk ka asnjë denoncues në Polici. Klosi kishte pretenduar para hetuesve se paratë ishin të xhaxhait dhe i kishte ruajtur për kurimin e tij, por ai ndërroi jetë disa javë më parë në SHBA, ku edhe po kurohej. Megjithatë duket se as i ndjeri nuk i justifikonte dot paratë, pasi e mbesa është vendosur në pranga./Dosja.al
Comments are closed.