Grupi i Enkelejd Alibeaj i ka bërë sot thirrje Gjykatës së Apelit që të shqyrtojë sa më shpejt të jetë e mundur ankimin e paraqitur, në mënyrë që t’i jepet fund konfliktit lidhur me legjitimitetin e drejtimit të Partisë Demokratike. Pas zgjedhjes së gjyqatares që do të shqyrtojë çështjen në Apel, përfaqësuesi ligjor, Indrit Sefa, në një postim në Facebook, ka ftuar palët t’i kërkojnë Apelit të shpallë dhe të gjykojë këtë çështje në një kohë sa më të shpejt. Tanimë, sipas tij, çdo vonesë është e pajustifikuar.

Reagimi i përfaqësuesit ligjor të Partisë Demokratike, Indrit Sefa

Gjykata e Apelit tashmë nuk ka asnjë pengesë për ti dhënë fund konfliktit gjyqësor për legjitimitetin e drejtimit të Partisë Demokratike. Partia Demokratike i kërkon Gjykatës që të shqyrtojë sa më shpejt ankimin e paraqitur nga ana e saj. I ftojë të gjitha palët ti kërkojnë Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm të shpallë dhe të gjykojë këtë çështje në një kohë sa më të shpejt. Çdo vonesë tashmë është e pajustifikuar.

Në bazë të shortit që u hodh sot, është përcaktuar gjyqtarja Elona Mihali e cila do të jetë relatorja e çështjes, ndërsa trupa gjykuese do të përbëhet nga Astrit Kalaja dhe Ireida Kacerja. Ivi Kaso, përfaqësuesi ligjor i PD-së i drejtuar nga kryedemokrati Sali Berisha ishte prezent në procesin e hedhjes së shortit, për të mësuar se kush do të jetë trupa gjykuese për këtë çështje. Kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi bëri thirrje që të sqarohet kjo çështje pasi PD rrezikon regjistrimin në zgjedhje. Palët në PD janë ndarë që pas Kongresit të 11 dhjetorit të vitit 2021, ku Berisha mori kontrollin e partisë.