Banorët e Bërxullës kanë dalë ditën e sotme në protestë për të kundërshtuar kështu ndërtimin e aksit Thumanë-Kashar. Banorët janë mbledhur të gjithë te rruga e Rinasit dhe kanë bllokuar një aks të kësaj rruge. Në këto momente ka shkuar policia për të liruar rrugën dhe kjo ka sjellë përplasje mes autoriteteve dhe banorëve.

Banorët kanë deklaruar se ata nuk janë kundër ndërtimit të rrugës, por duhet që të shpronësohen për tokën e tyre. Ata thanë se nuk pasur asnjë tentativë për negociata nga ana e autoriteteve për të arritur një ujdi në lidhje me këtë çështje.

“Ne nuk kemi gjetur asnjë zgjidhje deri më sot. Asnjë përgjigje nga institucionet shqiptare sa do të jetë e aksesueshme pjesa tjetër e pronës. Do ndërpritet rruga dhe nuk kam ku të hyjë. Nuk e kuptoj këtë neglizhencë të qeverisë mbi një projekt që është tërësisht vjedhje. Kjo rrugë është e mbyllur, ne nuk jemi kundër projektit por jemi për dëmshpërblim në bazë të ligjit që është në fuqi. Nuk ka asnjë lloj shkrese, që të negociojë me ne, pavarësisht se Belinda Balluku dhe ata tjerët thonë që kemi rëndë dakord me banorët, Nuk ka ardhur asnjë njeri. Prandaj dal në protestë unë se dua ta di, sa është dëmshpërblimi im”, tha një prej banorëve.

Javën e kaluar, banorët e Bërxullës e përshkallëzuan protestën. Një zonjë dhe nipi i saj kërcënuan se do të hidhen nga shtyllat e tensionit dhe do të vetëflijohen nëse nuk marrin një përgjigje nga institucionet. Policia ndërhyri duke bërë që situata të mos kthehej në tragjedi. Edhe pse kanë më shumë se 90 ditë që protestojnë, asnjë deputet i majtë apo i djathtë nuk është afruar për të mbështetur banorët e Bërxullit ndaj ata deklarojnë se do të bojkotojnë zgjedhjet vendore. Banorët e Bërxullit tanimë e kanë vendosur se nuk do të marrin pjesë në zgjdhjet e 14 majit ndërsa shprehen të vendosur se tokat e tyre nuk do t’i lëshojnë pa u kompensuar me çmimin e tregut. /Dosja.al