Ajo mbetet një ikonë e cirkut. Plot virtyte, por që me thjeshtësinë e saj, kurrë nuk e ka ngritur zërin e madhështisë, por ka ngelur modeste. Kur flet, fjala e saj zë vend për vetë argumentet që përcjell. Ka filluar në moshën 9- vjeçare në rrethin e Baletit pranë Shtëpisë së Pionierit në Shkodër, me instruktore artisten e madhe Roza Xhuxha (Anagnosti) në vitin 1960. Nga lëvizjet elegante që realizonte e afroi pranë grupit të akrobatëve trajneri i grupit z. Myftar Tafili. Në atë grup bënin pjesë talentet e cirkut shkodran si: Fatmir Gokovi, Nikolin Gjergji, Faruk Kalleshi etj..

Në rrëfimin e saj Liljana flet për fillimet e karrierës së saj në cirk. “Fillimisht u zbulova si akrobate e plastikës dhe numri im i parë ishte një ekzekutim duet me akrobatin e talentuar Faruk Kalleshi, numri u pëlqye jashtëzakonisht shumë, që përbënte një nismë për karrierën time si profesioniste.”, tregon ajo duke folur që në fillim për shokun e jetës por edhe të profesionit.